SYRI TV/ Sezoni turistik në Vlorë mes problematikave, mungojnë vrojtuesit në plazhe
Nga Syri Tv
Vlora e ka çelur sezonin turistik mes problematikave të theksuara në infrastrukturë, mjedis dhe siguri. Pushuesit apo banorët thonë se mungojnë vrojtuesit e plazheve, se ka papastërti kudo me mbeturinat e shpërndara përgjatë gjithë vijës bregdetare apo mungesave të hapësirave për plazhe publike.
Sezoni turistik në Vlorë ka nisur me një sërë problematikash që shqetësojnë qytetarët dhe turistët. Aktualisht, përgjatë gjithë bregdetit mungojnë vrojtuesit e plazhit, ndërsa kullat e vrojtimit janë të dëmtuara dhe jashtë funksionit.
Në zonën e Lungomares është konstatuar derdhja e ujërave të zeza në det, duke ndikuar negativisht në cilësinë e ujit dhe përvojën e pushuesve. Po ashtu, plazhet nuk janë pastruar, me mbeturina të shumta të shpërndara përgjatë vijës bregdetare.
Një tjetër shqetësim është zaptimi i hapësirave publike nga subjekte private. Çadrat dhe strukturat e vendosura pa rregull kanë kufizuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve në plazhet publike.
Zyrtarisht është çelur sezoni turistik në Vlorë, por problemet e mbartura ndër vite vazhdojnë të jenë prezente. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të garantuar një sezon turistik të sigurt dhe të pastër.