Mbrojtja e oqeaneve në rrezik/ Bota mund të dështojë në objektivin e vitit 2030

Qeveritë e botës po shpenzojnë vetëm 10% të fondeve të nevojshme për të përmbushur objektivin e mbrojtjes së 30% të oqeaneve deri në vitin 2030. Alarmi vjen nga një raport i organizatave ndërkombëtare mjedisore, i publikuar pak ditë para fillimit të Samitit Ndërkombëtar për Oqeanet në Nicë të Francës.

Në vitin 2022, 196 vende ranë dakord të shndërrojnë 30% të sipërfaqes së oqeaneve në Zona të Mbrojtura Detare (ZMD) deri në fund të dekadës. Por përparimi drejt këtij qëllimi është i ngadalshëm dhe thellësisht i financuar në mënyrë të pamjaftueshme.

Aktualisht, vetëm 1.2 miliardë dollarë në vit (rreth 1.05 miliardë euro) dedikohen për mbrojtjen e oqeaneve, një shumë larg nevojës reale prej 15.8 miliardë dollarësh (13.9 miliardë euro), sipas raportit të hartuar nga një koalicion që përfshin WWF International, SkyTruth, Institutin për Konservimin Detar, Fushatën për Natyrën, Fondin e Oqeanit Bloomberg dhe nismën “Së bashku për oqeanin”.

Megjithëse jo e papërfillshme, kjo shumë përfaqëson vetëm 0.5% të shpenzimeve ushtarake vjetore globale, theksojnë autorët e raportit.

Sipas të dhënave më të fundit, në mbarë botën janë shpallur 16,516 Zona të Mbrojtura Detare, që mbulojnë vetëm 8.36% të sipërfaqes totale të oqeaneve. Nga këto, vetëm 2.7% janë realisht të mbrojtura në mënyrë të plotë ose të konsiderueshme.

Vonesa në përmbushjen e këtij objektivi është ‘alarmante’ dhe duhet trajtuar me përparësi në Konferencën e Oqeaneve të OKB-së (UNOC), e cila nis më 9 qershor në Nicë, deklaroi Jonathan Kelsey, drejtor i Fondit të Oqeanit Bloomberg.

UNOC është një mundësi kritike për qeveritë që të mbyllin boshllëkun mes fjalëve dhe veprimeve, veçanërisht përmes rritjes së financimit për mbrojtjen e oqeaneve,” shtoi ai.

Sipas raportit, adresimi i kësaj vonese do të mundësonte kursime dhe përfitime potenciale deri në 85 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2050. Këto përfitime përfshijnë reduktimin e emetimeve të CO₂ përmes restaurimit të bimësisë detare, rikuperimin e rezervave të peshkut dhe mbrojtjen e vijave bregdetare nga përmbytjet.

Nuk mund të lejojmë që premtimet të mbeten thjesht në letra, ndërkohë që shkëmbinjtë koralorë zbardhen, rezervat e peshkut tkurren dhe plazhet përmbyten,” deklaroi Brianna Fruan nga fushata ‘Së bashku për oqeanin’.

Rreth pesëdhjetë krerë shtetesh dhe qeverish priten të marrin pjesë në Samitin e Nicës, i cili përmbyllet më 13 qershor. Në përfundim të punimeve, pritet miratimi i një deklarate politike jo-detyruese që do të theksojë se zhvillimi i qëndrueshëm i oqeaneve është “më pak i financuari” nga të gjitha Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara. Syri.net-Kathimerini