SYRI TV/ Gjirokastër, mbetjet hidhen në rrugë, lagjja 'Zinxhiria', ndotet nga plehrat

Banorët e lagjes “Zinxhiria” në Gjirokastër përballen me ndotje për shkak të hedhjes së mbetjeve urbane pranë zonave të banuara.

Ata tregojnë se mbetjet urbane nuk pastrohen, ndërsa shpesh mbulohen edhe me mbetje inerte. Për banorët kjo situatë është kthyer në shqetësim për shkak të rrezikut nga infeksionet.

Lagjja “Zinxhiria” në qytetin e Gjirokastrës është kthyer prej muajsh në një vatër të rrezikshme infeksionesh, për shkak të një grumbullimi të pakontrolluar mbetjesh urbane dhe inertesh ndërtimore.

Banorët e zonës denoncojnë se mbeturinat grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme nga vetë komuniteti, për shkak të mungesës së kazanëve të plehrave dhe neglizhencës së autoriteteve për t’i vendosur ato, ndërsa ndërmarrja e shërbimeve publike nuk ofron një pastrim të rregullt të zonës.

Në vend që të pastrohen, mbeturinat mbulohen me inerte ndërtimore, duke e kthyer territorin në një vendgrumbullim të dyfishtë, të papërshtatshëm dhe të dëmshëm për shëndetin.

Banorët kërkojnë vendosjen e kazanëve të plehrave, pastrime periodike dhe ndalimin e depozitimit të inerteve në të njëjtin vend me mbetjet urbane. Në pritje të një zgjidhjeje nga institucionet, banorëve u mbetet vetëm të përballen çdo ditë me erën e rëndë të mbeturinave dhe rrezikun për shëndetin.