SYRI TV/ Divjakë, zbulohen rrënoja arkeologjike, specialistët: Rrënojat, të periudhës mesjetare
Zbulohen rrënojat e një kishe ortodokse në fshatin Biçukas të Divjakës. Gjatë gërmimeve arkeologjike që po kryhen prej ditësh në këtë fshat, arkeologët kanë mundur të nxjerrin prej dheut material të rëndësishëm arkeologjik që dëshmon vijmësinë e jetës, post periudhës Ilire, në periudhën mesjetare ne trevën e myzeqesë.
Në fshatin Biçukas në Divjakë, janë rikthyer arkeologët, pasi në një prej kodrave të fshatit është zbuluar një kishë e vjetër e cila mendohet se është e periudhës mesjetare.
Gërmimet janë kryer në vendin e quajtur Kisha e Shëngjergjit, e cila njihej nga banorët e zonës me toponim fetar, ndërsa përreth kodrës disa objekte kanë nxitur kërkimet e thelluara.
Deri më tani janë zbuluar rrënoja të kishës, një kolonë e dëmtuar, monedha si dhe materiale të tjera arkeologjike, që pritet të hedhin dritë për historinë e këtij objekti.
Arkeologu Niko Ferro, specialist i muzeut historik të Lushnjes, tregon se zona e fshatit Biçukas është e pasur me objekte dhe pse jo vendbanime arkeologjike.
Gërmimet e deritanishme premtojnë pasurimin e historisë arkeologjike të vendit tonë dhe sidomos të trevës së Myzeqesë, e cila dëshmon vazhdimësinë iliro-arbërore në trevat shqiptare.