SYRI TV/ Besimtarët festojnë Ditën e Shën Joan Vladimirit, Kryepeshkopi Imzot Joani përcolli urime paqeje

Me mijëra besimtarë nga Shqipëria dhe vendet fqinje u mblodhën në kishën e Shën Joan Vladimirit në Shijon të Elbasanit, për të kremtuar Ditën e Shenjtit më 4 qershor, një traditë që përcjell besim dhe shpresë. Mesha u drejtua nga Kryepeshkopi Imzot Joani, ndërsa festa u shoqërua me lutje, qirinj të ndezur dhe mesazhe paqeje.

Besimtarë të shumtë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, u mblodhën në fshatin Shijon të Elbasanit për të festuar Ditën e Shën Joan Vladimirit, një traditë që përsëritet çdo vit më 4 qershor. Kjo ditë është shënuar si e tillë pasi, në të kaluarën, lipsanet e shenjtit kanë qenë të vendosura në këtë kishë, duke e kthyer vendin në një qendër pelegrinazhi shpirtëror.

Prej dy ditësh, pelegrinë të shumtë kanë qëndruar në manastirin e ndërtuar në nder të princit martir, duke besuar në mrekullitë dhe ndërmjetësimin e tij. Mesha solemne u drejtua nga Kryepeshkopi Imzot Joani, i cili përcolli urime paqeje dhe bekimi për të gjithë të pranishmit.

Besimtarët kanë ndezur qirinj dhe janë lutur për një jetë më të mirë, duke përcjellë urime për paqe, shëndet dhe mirësi. Festa e Shën Joan Vladimirit vazhdon të mbledhë bashkë njerëz nga kombe dhe kultura të ndryshme, në një frymë të rrallë që tejkalon kufijtë politikë dhe ndarjet etnike.