Japonezët bëjnë zbulimin revolucionar/ 'Plastika që shkrihet në det'

Një grup shkencëtarësh japonezë ka zhvilluar një material plastik që mund të shpërbëhet plotësisht në ujin e detit brenda pak orësh, një arritje premtuese në luftën globale kundër ndotjes plastike.

Studiuesit nga Qendra RIKEN për Shkencën e Materialeve në Zhvillim dhe Universiteti i Tokios prezantuan plastikën e re, e cila, ndryshe nga materialet tradicionale, zbërthehet shpejt pa lënë mbetje toksike apo mikroplastikë. Në një eksperiment të thjeshtë në laboratorin e tyre në qytetin Ëako, afër Tokios, një copë e vogël e këtij materiali u zhduk brenda rreth një ore pasi u përzje në një enë me ujë të kripur.

Ndryshe nga shumë plastikë ‘biodegradueshme’ ekzistuese, që mund të marrin muaj ose vite për t’u shpërbërë dhe shpesh lënë mikrombetje të dëmshme, ky material i ri zbërthehet plotësisht në përbërës që më pas konsumohen nga bakteret natyrore, duke e bërë atë të sigurt për mjedisin detar dhe zinxhirin ushqimor.

"Fëmijët nuk kanë të drejtë të zgjedhin planetin ku jetojnë. Është detyra jonë si shkencëtarë të sigurohemi që t’u lëmë një mjedis sa më të pastër dhe të sigurt", u shpreh Takuzo Aida, udhëheqësi i projektit.

Aida shtoi se materiali është po aq i fortë sa plastika tradicionale me bazë nafte, por në kontakt me kripën fillon procesin e shpërbërjes, pa lëshuar dioksid karboni, pa qenë toksik apo i ndezshëm.

Megjithëse ekipi nuk ka ende një plan konkret për futjen në treg, zbulimi ka tërhequr interes të madh nga industria, veçanërisht sektori i paketimit, një nga burimet kryesore të ndotjes plastike në mjedis. Një tjetër përparësi është se plastika funksionon normalisht kur është e veshur, duke e bërë atë të përdorshme në shumë fusha të përditshme.

Kërkimet aktuale të ekipit janë përqendruar në zhvillimin e teknikave më efikase të veshjes, me qëllimin për ta përshtatur këtë material në përdorim masiv.

Ky zbulim vjen në një kohë kritike. Sipas Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara (UNEP), ndotja plastike mund të trefishohet deri në vitin 2040, duke shtuar deri në 37 milionë ton mbeturina plastike në oqeanet e botës çdo vit.

Zhvillimi i plastikave të shpërbëshme në mënyrë të sigurt në mjedis përbën një nga sfidat më të mëdha të kohës sonë, dhe gjithashtu një nga shpresat më të mëdha për të ardhmen. Syri.net-iefimerida