SYRI TV/ Zhvillohet provimi i parë i maturës, 30 minuta pas nisjes së testit, doli teza
27 mijë maturantët testuan njohuritë e tyre në provimin e Gjuhës së huaj në shkollat e vendit. vetëm pak minuta pas nisjes së testimit, në rrjetet sociale u publikuan tezat e Anglishtes dhe Frëngjishtes. Për këtë skandal Ministria e Arsimit reagoi duke habitur jo pak me përgjigjen, se publikimi i tezave të provimit nuk përbënte asnjë problem. Pas gjuhës së huaj, maturantët do të japin edhe provimet e tjera të Gjuhës, Letërsisë, Matematikës dhe lëndëve me zgjedhje.
Mbi 27 mijë maturantë në të gjitha shkollat e mesme të vendit, iu nënshtruan provimit të maturës për Gjuhën e Huaja. Provimi nisi në orën 10:00 dhe zgjati deri në orën 12:30. Vetëm pak minuta pasi kishte nisur provimi i Gjuhës së Huaj, në rrjete sociale filluan të qarkullojnë pjesë nga teza e gjuhës angleze.
Vetëm pak pas publikimit të tezave të Anglishtes, në rrjet është publikuar edhe varianti i tezës së Frëngjishtes, një tjetër provim alternativ që zhvillohet paralelisht me anglishten në disa shkolla të vendit.
Tezat, që duhet të mbeten konfidenciale deri në përfundim të testit, janë shpërndarë në rrjet rreth 30 minuta pas nisjes së provimit. Kjo është një shkelje e rëndë e rregullores së Maturës Shtetërore dhe hedh hije dyshimi mbi mënyrën e administrimit dhe sigurisë së provimeve. Por teksa tezat publikoheshin gjerësisht në rrjet, duke nënkuptuar edhe faktin se ato kanë dalë nga klasat ku zhvillohej provimi, ministria e arsimit reagoi duke u shprehur se kjo nuk përbënte asnjë problem për procesin e maturës.
Akti i shëmtuar i fotografimit dhe publikimit të tezës së provimit të maturës së lëndës gjuhë e huaj, pasi ka nisur provimi, nuk ndikon aspak në proces dhe nuk mund të hedhë poshtë punën e palodhur të mijëra mësuesve, administratorëve dhe punonjësve të strukturave arsimore në të gjithë vendin, që kanë punuar prej muajsh me përkushtim për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Pas gjuhës së huaj, maturantët do t`iu drejtohen përsëri bangave të shkollës për të testuar njohuritë e tyre edhe në provimet e tjera, të letërsisë dhe matematikës.