Pyetësori mbarëkombëtar: 95% e të rinjve shqiptarë duan të ruajnë traditat, por...nuk dinë çfarë është trashëgimia jomateriale!

Një pyetësori ri ka zbuluar një kontrast befasues: ndërsa shumica dërrmuese e të rinjve shqiptarë shprehin interes dhe pasion për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale, shumë prej tyre nuk e dinë saktësisht se çfarë ajo përfaqëson.

Pyetësori mbarëkombëtar, i realizuar si pjesë e projektit “Heritage is our brand” dhe i financuar nga Bashkimi Europian, përfshiu mbi 1,000 të rinj të moshës 16–33 vjeç nga të gjitha qarqet e vendit. Rreth 95% e tyre deklaruan se janë të përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë jomateriale si këngët, vallet, dialektet dhe artizanati – por gati gjysma e tyre nuk dinë të bëjnë dallimin mes trashëgimisë materiale dhe asaj jomateriale.

Madje, një pjesë e mirë e të anketuarve ngatërruan vendet arkeologjike me trashëgiminë jomateriale, duke treguar mungesë të theksuar edukimi në këtë fushë. Vetëm 58.7% e të rinjve e dinin saktësisht çfarë përfshin trashëgimia jomateriale, ndërsa 41.3% dhanë përgjigje të pasakta.
Ndërkohë, edhe pse trashëgimia kulturore është pjesë thelbësore e identitetit kombëtar, shumica e të rinjve nuk marrin pjesë në aktivitete kulturore në shkolla. Familja dhe komuniteti lokal mbeten burimet kryesore të transmetimit të traditave, ndërsa rrjetet sociale po bëhen gjithnjë e më shumë platforma për promovimin e kulturës shqiptare – por platformat e dedikuara për këtë fushë janë ende pak të njohura.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se këngët dhe vallet tradicionale janë më të njohurat (64%), të ndjekura nga dialektet (58%) dhe përrallat apo legjendat (51%). Ndërkohë, artizanati, një nga shtyllat e trashëgimisë shqiptare, njihet vetëm nga 27% e të rinjve.
Edhe më shqetësues është fakti që Xhubleta dhe Transhumanca, tashmë pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, mbeten të panjohura për shumë të rinj, edhe në zonat e origjinës së tyre.

Raporti i rekomandon institucioneve shqiptare që të integrojnë trashëgiminë kulturore në arsim dhe të forcojnë bashkëpunimin me organizatat rinore për ta kthyer traditën në pjesë të përditshmërisë së brezit të ri.