SYRI TV/ Fermerët në Roskovec braktisin serat, të zhgënjyer dhe pa mbështetje nga qeveria
Në fshatin SUK 1 të Roskovecit dhjetëra fermerë po braktisin serat dhe po largohen drejt emigracionit, të zhgënjyer nga mungesa e tregut, çmimet e ulëta dhe mungesa e mbështetjes nga shteti. Shumë prej tyre kanë marrë kredi për ngritjen e serave, por përballë humbjeve të mëdha, po i lënë tokat pas dhe po rikthehen jashtë vendit për të mbijetuar.
Syri TV
Në fshatin Suk 1 të Roskovecit, sera të tëra janë braktisur. Nga mbi 450 fermerë që dikur merreshin familjarisht me bujqësi intensive, sot kanë mbetur më pak se 150. Të zhgënjyer dhe pa mbështetje, shumë prej tyre po marrin rrugën e emigracionit, shpesh për të shlyer kreditë që kishin marrë për ngritjen e serave. Shkak kryesor, sipas tyre, është mosshitja e prodhimeve bujqësore dhe mungesa e politikave mbështetëse.
Pa treg, pa ndërhyrje për stabilizimin e çmimeve, pa subvencione dhe pa fuqi punëtore, fermerët janë detyruar të lënë tokat pas dore. Sera ka, por janë të boshatisura. Para zgjedhjeve, domatja blihej me 800 lekë të vjetra për kilogram dhe trangulli me 600 lekë. Sot, domatja arrin 300–400 lekë për kilogram, ndërsa kastraveci thuajse nuk ka çmim.
Në sfond, një djalë në karrocë me kalë kalon pranë serave të boshatisura një pamje e zakonshme për këtë zonë dikur të gjallë. Fermerët e Suk 1-shit, sot jetojnë mes shpresës dhe dëshpërimit. Disa kanë filluar t’i kthejnë tokat në ullishte, të tjerë kanë zgjedhur të largohen përtej kufijve. Bujqësia, për ta, nuk është më alternativë.