Vezët me salmonelë/ Ervin Resuli jep alarmin: Rrezik serioz, shkakton sëmundje të rënda gastrointestinale
Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare ka publikuar më 29 maj 2025 rezultatet zyrtare të analizave laboratorike mbi kampionë vezësh të marrë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në rajonin e Elbasanit.
Sipas analizave mikrobiologjike të kryera sipas standardit ndërkombëtar ISO 6579-1:2017, të pesë kampionet kanë rezultuar pozitive për bakterin Salmonella spp., duke ngritur alarmin për një rrezik të drejtpërdrejtë ndaj shëndetit publik.
Eksperti i sigurisë ushqimore, Ervin Resuli, e cilëson situatën si shqetësuese dhe të rrezikshme, veçanërisht në rastet kur vezët konsumohen pa u përpunuar mirë termikisht. Në një reagim në rrjetin e tij social Facebook, Resuli shkruan se prania e këtij bakterit mund të shkaktojë sëmundje të rënda gastrointestinale, duke rrezikuar në mënyrë të veçantë fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të ulët.
Resuli theksoi se autoritetet duhet të ndërmarrin masa urgjente, përfshirë:
-Ndalimin e menjëhershëm të tregtimit të vezëve të kontaminuara;
-Gjurmimin dhe izolimin e lotit të vezëve problematike;
-Kontroll të plotë sanitar dhe veterinar në fermën ose subjektin përgjegjës për prodhimin/shpërndarjen;
-Njoftimin e konsumatorit dhe asgjësimin e produktit të rrezikshëm sipas ligjit;
Resuli kujton se përgjegjësia ligjore dhe institucionale bie mbi AKU, që ka për detyrë të garantojë sigurinë ushqimore dhe të mbrojë shëndetin e konsumatorëve.
Ky është një tjetër sinjal se kontrolli mbi produktet ushqimore kërkon përforcim urgjent dhe një transparencë më të lartë për të shmangur rrezikun masiv për qytetarët.
Reagimi i plotë:
Mbi rezultatin e analizave laboratorike për prezencën e Salmonella spp. në mostra vezësh
Në përgjigje të interesimit të gazetarëve dhe publikut mbi rastin e analizave të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare (ISUV), sqarojmë si më poshtë:
Në datë 29.05.2025, ISUV publikoi rezultatet zyrtare për analizat mikrobiologjike të kryera mbi 5 kampione vezësh të marra zyrtarisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), rajoni Elbasan. Të gjitha kampionet kanë rezultuar pozitive për prezencën e bakterit Salmonella spp., sipas standardit ndërkombëtar ISO 6579-1:2017.
Ky rezultat është alarmant dhe përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik, veçanërisht në rastet kur produkti konsumohet pa përpunim të duhur termik. Prania e Salmonella spp. në vezë mund të shkaktojë sëmundje akute gastrointestinale tek konsumatorët, me pasoja serioze për grupet më të ndjeshme të popullatës (fëmijë, të moshuar, gra shtatzëna, persona me imunitet të ulët).
Bazuar në këtë situatë, rekomandojmë që:
Të ndërmerren menjëherë masa për ndalimin e tregtimit të këtij produkti.
Të gjurmohet dhe izolohet loti i vezëve të kontaminuara.
Të kryhet një kontroll sanitar-veterinar i plotë në fermën ose subjektin që ka prodhuar ose shpërndarë produktin.
Të njoftohet konsumatori dhe të garantohet asgjësimi i produktit të pasigurt, sipas procedurave ligjore.
Përgjegjesia bie mbi AKU për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.