VIDEO/ Duraj: Divorci po e godet familjen shqiptare, duhet ndërhyrje urgjente nga instancat përkatëse
Avokati Alban Duraj, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto”, ka komentuar me shqetësim një nga fenomenet më delikate dhe më të përfolura të kohëve të fundit në shoqërinë shqiptare: rritjen e vazhdueshme të numrit të divorceve.
Në analizën e tij, ai ka vënë në dukje se kjo prirje nuk është thjesht një çështje statistikore, por një problem thelbësor që po prek drejtpërdrejt strukturën e familjes shqiptare dhe, më rëndësishmja, të ardhmen e fëmijëve që rriten në këto kushte të vështira emocionale dhe sociale.
Duraj ka theksuar se, përtej arsyeve të dukshme që zakonisht përmenden si dhuna apo mosmarrëveshjet ekzistojnë faktorë më të thellë dhe më kompleksë që shpeshherë anashkalohen, si mungesa e mbështetjes ekonomike, ndikimi i mediave dhe rrjeteve sociale, si dhe roli që luajnë organizatat jofitimprurëse në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.
Ai ngre alarmin për mungesën e një qasjeje të balancuar dhe gjithëpërfshirëse ndaj këtij fenomeni, duke bërë thirrje që institucionet shtetërore të tregojnë më shumë kujdes, vëmendje dhe ndërhyrje efektive për të parandaluar shpërbërjen e familjes dhe për të mbrojtur mirëqenien e fëmijëve.
Alban Duraj:
"Është një shifër e cila na ka lënë pa fjalë të gjithëve dhe mendoj se ne duhet të bëjmë një analizë se përse vijnë këto divorce, cilat janë shkaqet e vërteta e ato reale që kanë çiftet që çojnë në divorc, pasi kjo është një shifër që do të sjellë pasoja shumë të rënda sa i përket fëmijëve të cilët vijnë nga këto divorce.
Fëmijë që rriten pa praninë e prindërve apo kanë konflikte e inate personale, e personaliteti i fëmijëve do të rritet me këto konflikte dhe gjurmët e këtyre konflikteve do ngelen përgjithmonë te këta fëmijë që janë të pafajshëm.
Unë mendoj se shteti duhet ta shikojë me një kujdes e vëmendje të veçantë e maksimale, sepse kemi të bëjmë me të ardhmen e shoqërisë sonë.
Sa i përket arsyeve që unë i konstatoj nga rastet të cilat kam pasur, mendoj se një punë shumë ndikuese lidhur me divorcet janë edhe mediat, rrjetet sociale dhe organizata jofitimprurëse që kanë mision të tyre mbrojtjen e grave ndaj dhunës në familje.
Mënyra se si këto organizata e trajtojnë dhunën duke e parë bashkëshortin apo kryefamiljarin si një armik të madh të familjes – ata merren me finalen që është dhuna apo konflikti verbal dhe nuk merren me shkaqet e vërteta.
Përtej qëllimit kryesor që këto organizata kanë, duhet parë edhe një herë roli i tyre, për shkak se këta kanë fitimet e tyre, por nuk merren me zgjidhjen thelbësore të problemit.
Dhuna është një nga shfaqjet ku degradon marrëdhënia mes çifteve, por nuk flitet për problemet ekonomike që mund të ketë një çift, pra përkrahjen që duhet t’u bëjë shteti atyre kur ata nuk kanë mundësi financiare që mund të kalojnë muajin, dhe institucionet e tjera që janë ndihmëse e mund të japin kontribut kryesor në rritjen dhe mirëedukimin e fëmijëve, i anashkalojnë të gjitha këto komponentë të mbarëvajtjes së familjes dhe fokusohen në elementin final që është dhuna"