BE nis hetimin ndaj Pornhub dhe tre faqeve të tjera me përmbajtje për të rritur

Komisioni Europian ka nisur një hetim ndaj katër faqeve pornografike, Pornhub, Stripchat, XNXX dhe XVideos, pas dyshimeve se kanë dështuar në mbrojtjen e të miturve nga përmbajtjet për të rritur.

Sipas ekzekutivit të Bashkimit Europian, platformat në fjalë nuk kanë zbatuar masa të efektshme për verifikimin e moshës, duke lejuar kështu qasjen e fëmijëve në përmbajtje të ndaluara.

Verifikimi me vetëm një klikim, pra vetëdeklarimi i moshës, është cilësuar si i papërshtatshëm për të mbrojtur fëmijët.

Hetimi është hapur në bazë të Aktit të Shërbimeve Dixhitale (DSA), një ligj i ri i BE-së që synon të luftojë dëmet online, përfshirë keqinformimin, fjalimin e urrejtjes dhe ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve që dëmtojnë shëndetin mendor.

“Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve në internet”, tha një zyrtar i BE-së, duke theksuar vendosmërinë për zbatim të rreptë të ligjit.

Platformat mund të shmangin ndëshkimin nëse paraqesin sisteme të reja të verifikimit të moshës që përmbushin standardet e BE-së. Nëse shkeljet vërtetohen, ato mund të përballen me gjoba deri në 6% të xhiros globale vjetore.

Aktualisht, vetëm platformat me mbi 45 milionë përdorues janë nën mbikëqyrjen direkte të Komisionit Evropian, ndërsa të tjerat mbikëqyren nga autoritetet kombëtare.