'Tetë ditë në ankth'/ Salmonela në kopshtin e Gramshit, nëna e një fëmije: Djali vijon të ketë dhimbje stomaku, kërkoj siguri për...
Prindërit e fëmijëve të infektuar me salmonelë në një kopsht në qytetin e Gramshit kanë protestuar sot, duke kërkuar transparencë dhe masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë ushqimore në institucionet arsimore.
Të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve, ata kërkuan nga autoritetet vendore dhe ato shëndetësore marrjen e përgjegjësive dhe kryerjen e kontrolleve rigoroze nëpër çerdhe e kopshte.
Në një prononcim për mediat, një nënë rrëfeu se djali i saj vijon të ketë simptoma të rënda edhe pas disa ditësh trajtimi. “Fëmija është infektuar me salmonelë. Vijon të ketë dhimbje stomaku dhe diarre. Kam edhe një vajzë tjetër, i kemi bërë analizat dhe jemi në pritje të përgjigjeve,” tha ajo.
Ajo shtoi se në fillim menduan se ishte një virozë e zakonshme dhe e trajtuan me medikamente për temperaturë, por më pas analizat konfirmuan praninë e salmonelës. “Kemi tetë ditë që jetojmë me ankth. Kërkoj siguri për ushqimin që u jepet fëmijëve tanë,” apeloi ajo.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të thella në komunitet, ndërsa prindërit shprehen të revoltuar për mungesën e transparencës dhe kërkojnë që të merren masa të menjëhershme për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme.
Nëna: Fëmija është infektuar me salmonelë. Vijon të ketë dhimbje stomaku dhe diarre. Kam edhe një vajzë tjetër, i kemi bërë analizat dhe jemi në pritje të përgjigjeve. Fillimisht menduam se ishte thjesht temperaturë dhe e trajtuam me medikamente për virozë, por më vonë mësuam se ishte salmonelë. Kemi tetë ditë që jetojmë me ankth. Kërkoj siguri për ushqimin që u jepet fëmijëve tanë.