'Na keni helmuar fëmijët!' Prindërit në protestë pas shpërthimit të salmonelës në kopshtin publik: Shteti s'është gjëkundi
Prindërit e fëmijëve të kopshtit nr 1 të Gramshit dolën paraditen e sotme në protestë për të ngritur zërin të alarmuar pasi fëmijët e tyre u helmuan nga salmonela për shkak të konsumimit të supës së pulës në këtë kopsht.
Nga 79 mostra që janë marrë deri tani nga analizat janë identifikuar 17 raste pozitive mes fëmijëve dhe stafit.
Prindërit kërkojnë që përgjegjësit që rrezikuan jetën e fëmijëve të tyre të vihen para ligjit.
“Fëmija im ka që të martën që është infektuar. Falë mjekes janë dhënë ilaçet. Ka rënë temperatura por dhimbjet e barkut vijonë. Pas përfundimit të mjekimit do të ribëhen analizat' thotë një prind.
“Fëmija im të hënën në drekë shfaqi temperaturë. Ka 8 ditë që vijon me dhimbje barku, diare. Për desi. E mjekova fillimisht si virozë, por të enjten mësova se ishte me salmonelë. Kemi 8 ditë që jemi në gjendje ankthi dhe të trembur. Ne e cojmë fëmijën deri në orën 15:30 dhe kërkojnë siguri për ushqimin” tha mamaja e një fëmije.
Prindërit thonë se shteti ka qenë inekzistent dhe ka heshtur përballë kësaj situate alarmante që vë në rrezik fëmijët e tyre. Madje janë përpjekur dhe ti intimidojnë
“Përgjigjen e kam marrë dje pas disa sherreve në kopsht, nuk na jepnin përgjigje. E kishim për ta marrë që të shtunën. Thonin që nuk jepet kështu përgjigja. Nuk kemi parë asgjë nga ana e tyre. Përderisa është një sëmundje ngjitëse, mbase duhej një person mbase nga infektivi të na orientonte për masat që duhet të merren. Askush as nuk na ka pyetur se si është fëmija. Nuk ka ardhur njeri fare në shtëpi, s’më ka marrë njeri në telefon. I kam marr fëmijës vetëm një mjekim që i kam marrë me lekët e mia. Nuk ka përkushtim nga shteti, nuk është gjëkundi'
‘S’kishim informacion. Ishte terr informativ. Unë isha rasti i parë. Dolën analizat. Shyqyr që nuk ishte fëmija tjetër, se e kisha me linjë.. Më është ndaluar ta çoj në pavion e po e mjekoj në shtëpi”
Një banor thotë se shërbimi i kateringut që ofrohet në këtë kopsht është nga një kompani jashtë qytetit.
Tenderi i është dhënë një kompanie jashtë qytetit tonë. Pse të dalë jashtë kjo bashki për këtë shërbim.
Ata i kërkojnë prokurorisë të hetojë.
“Në vend që të bërtasim ne që na kanë helmuar fëmijët, këta përpiqen të na intimidojnë. Na keni helmuar fëmijët. I bëj thirrje prokurorisë së Gramshit të ndjekin këtë cështje të mos e lërë dhe ta cojë deri në fund këtë ngjarje. Ka ditë që po përpiqen të intimidojnë. Këtu duhej të kishte dalë gjithë Gramshi në protestë ”tha një banor.