Shtëpi bari në Fier, arrestohet pronari e punonjësi i OSHEE-së, 'nuk pa' lidhjen e paligjshme të energjisë
Një shtëpi bari është zbuluar në fshatin Vadhizë të Fierit. Në pranga kanë rënë pronari i banesës dhe punonjësi i OSHEE, Isa Gashi dhe Ramis Malaj.
Banesa ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet llambave.
Në këtë banesë është konstatuar një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin dhe rritjen e bimëve narkotike.
Gjatë operacionit u arrestua autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale, Isa Gashi 63 vjeç, banues në Vadhizë, i cili kultivonte bimët në ambientet e banesës së tij.
Në vijim të veprimeve hetimore, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, shtetasi Ramis Malaj, 61 vjeç, banues në Patos, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike, informoi sot policia e Fierit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 41 bimë narkotike Cannabis Sativa, 57 fidanë Cannabisi, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 784 fara kanabisi, 5 panele elektrike, 8 llamba për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra, 3 ventilatorë freskues, 2 aspirator dhe 18 pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.
Operacioni policor i koduar 'Led' u mor nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier.