Skandali në Gramsh/ Helmimi i fëmijëve nga salmonela në kopshtin publik, autoritetet tentuan ta fshehin, e denoncuan prindërit
Një ngjarje e rëndë është raportuar në Bashkinë Gramsh, ku 72 fëmijë të kopshtit publik nr. 1 në Gramsh janë ekzaminuar si të dyshuar për helmim me salmonelë.
Ngjarja e ka zanafillën katër ditë më parë, kur katër fëmijë të grupmoshës 4-5-6 vjeç janë paraqitur në Spitalin Rajonal të Gramshit me shenja të rënda helmimi: të vjella, diarre, temperaturë të lartë dhe dehidratim.
Pas analizave paraprake të dërguara në Institutin e Higjienës, është konstatuar prania e bakterit salmonelë, për të cilin dyshohet se është marrë në kopshtin që frekuentonin fëmijët.
Më pas, në spital kanë mbërritur edhe dy fëmijë të tjerë me simptoma më të lehta, gjithashtu frekuentues të të njëjtit kopsht. Edhe në këtë rast, analizat laboratorike konfirmuan praninë e salmonelës.
Kopshti, i cili ofronte edhe shërbim dreke, është shtetëror. Deri tani janë marrë 72 mostra për analiza nga fëmijët e kopshtit dhe çerdhes, ku 12 prej tyre dyshohet se janë të infektuar. Rezultatet pritet të dalin nesër.
Ndërkohë, ngjarja është tentuar të mbahet e fshehtë për katër ditë nga autoritetet vendore dhe drejtuesit e kopshtit nr. 1. Nëse prindërit e shqetësuar nuk do të bënin denoncimin e rastit ajo do të vijonte të ishte e fshehur.