SYRI TV/ Banorët e Kaninës kundërshtojnë nënkalimin e bypass-it të Vlorës: Na pengon të shkojmë tek tokat
Banorët e Kaninës në Vlorë kanë protestuar këtë të shtunë (24 maj) duke kundërshtuar ndërtimin e një nënkalimi pjesë e bypassit të Vlorës. Ata thonë se ky nënkalim i pengon për të shkuar tek tokat e tyre. Deri më tani kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh dhe ato paralajmërojnë përshkallëzim të protestës deri në bllokim të rrugës nacionale.
Syri TV
Banorët e Kaninës kanë dalë në një protestë pasi kundërshtojnë ndërtimin e një nënkalimi të bypass-it të Vlorës. Ata kanë paralajmëruar se do të bllokojnë rrugën nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Sipas banorëve nënkalimi është parashikuar me lartësi të ulët duke bërë të pamundur kalimin drejt tokave të tyre..
Banorët pretendojnë gjithashtu se cilësia e punimeve është e dobët dhe se mungesa e sinjalistikës ka sjellë një sërë problematikash. Rrëshqitjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar rrugën në disa raste, duke izoluar banorët për ditë të tëra.
Bypass-i i Vlorës, një projekt me vlerë mbi 56 milionë euro, përfshin pesë ura, dy nënkalime dhe 15 kryqëzime. Megjithëse qeveria ka premtuar përfundimin e punimeve në prill të vitit 2025, qytetarët e Kaninës mbeten skeptikë. Për ta, ky projekt që duhej të sillte zhvillim ekonomik dhe turizëm, është kthyer në një burim të përhershëm zhgënjimi.