Prapaskenat në kurriz të një mësueseje! Toska: Duan të më largojnë nga puna padrejtësisht! Ish-drejtori i shkollës largohet! AKPA ‘kyç gojën’

Rasti i mbrëmjes së kësaj të premteje na çon në Bushat të Shkodrës, aty ku një mësuese e lëndëve Biologji-Kimi rrezikon të mbetet pa punë, pasi ish-drejtori i shkollës, tashmë ka kaluar mësues dhe ka marrë nga orët e saj të mësimit, duke i zënë dalëngadalë vendin e punës me 20 orë të plota.

Dhe sikur të mos mjaftonte, e ka larguar edhe për një vit nga borderoja e shkollës gjatë kohës që ajo ishte me leje lindjeje. E gjitha kjo, me sa duket, me një qëllim të mirë menduar: zënien e vendit të punës. Ndërkohë që, për të hapur vend për orët e ish-drejtorit, mësueses i reduktohet plani mësimor.

Këtu është vetëm fillimi, ku nisin edhe shkeljet që sot rrezikojnë që një mësuese me rreth 15 vite eksperiencë të hidhet në rrugë. Drejtori Kapedanja del në pension, dhe në vendin e tij komandohet Elis Celepia, i cili sapo merr detyrën, e thërret në zyrë mësuesen, duke i komunikuar se në qershor i mbaron kontrata dhe kështu duhet të largohet nga puna.

Për ta sqaruar mirë, kemi përballë njëri-tjetrit dy mësues të së njëjtës lëndë, Biologji-Kimi, në një shkollë ku mësojnë rreth 110 nxënës. Aktualisht, secili nga mësuesit nuk plotëson normën mësimore. Por, përderisa mësuesja ka qenë definitive që në 2011 me 20 orë në javë, pse ndodhi që u ndanë orët duke shtuar zotin Shimaj? Përgjigjja është e thjeshtë: duan ta mbajnë me patjetër në shkollë.

Thënë shkurt, drejtori i atëhershëm ka vënë në siguresë vendin e punës për një moment të dytë kur mund të mos ishte më në post drejtues. Duket një skemë e mirë menduar në kurriz të koleges, e cila sapo kishte sjellë në jetë vajzën, pa e kuptuar aspak atë që po ndodhte në shkollë gjatë mungesës së saj.

Ndërkohë që sot i kërkohet që të futet në një garë që, sipas Vjoselës, është e pabarabartë – por edhe sipas ekspertëve të arsimit. Siç shprehet Nora Malaj, gara është e pabarabartë, ndërsa shton se Vjoselës i janë shkelur dy të drejta themelore. Ndërkohë, në takimin që patëm me mësues Shkëlqimin, ky i fundit nuk jep asnjë përgjigje, duke ikur me vrap sa në oborr e sa nëpër zyra.

Ndërsa pas takimit me profesor Shkëlqimin që nuk shkoi dhe aq mirë, u nisëm drejt Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, të cilët mund të na japin arsyet e këtij lëmshi në dëm të një mësueseje në karrierë. Takimi i parë nuk shkoi mirë, dhe përveç agresivitetit të rojeve të sigurisë, nuk morëm asnjë përgjigje nga zonja Etleva Gjelaj, drejtoreshë e këtij departamenti.

Kështu që e provuam sërish, dhe këtë herë drejtoresha ishte më e gatshme të na përgjigjej, pasi mesa duket kishte marrë edhe informacionin e duhur që të kishte disa argumente më tepër në lidhje me këtë situatë... Por edhe këtu nuk morëm një përgjigje ligjore, pasi nga biseda kuptohet qartë që zonja Gjelaj dhe drejtoria që ajo drejton e kishin ndarë mendjen që Shkëlqim Shimaj do të ishte mësuesi definitiv, pavarësisht se ka një garë përpara.