VIDEO/ Lëshuan tituj ‘pa hesap’: Universiteti i Arteve ‘lë në baltë’ profesionistët e vërtetë
Në vitin 2021, me një vendim të Këshillit të Ministrave, Universiteti i Arteve mori statusin e veçantë që i jepte të drejtën të ekuivalentonte karrierën artistike me grada shkencore për personelin akademik. Titujt që do të jepeshin ishin “Profesor në Arte” dhe “Profesor i Asociuar në Arte” dhe duhej t’i merrnin vetëm ata persona me arritje të shquara artistike.
Por në vitin që shkoi, vetëm pak ditë para zgjedhjeve për institucionet e arsimit të lartë, Universiteti i Arteve shpërndau këto tituj për 58 akademikë.
Tenori me famë ndërkombëtare, Josif Gjipali, që prej 10 vitesh është edhe pedagog i brendshëm në këtë universitet, u shpreh për “Piranjat” se titujt nuk iu dhanë atyre që realisht i meritonin, por thuajse kujtdo që aplikoi.
“Unë di, për shembull, që në një dosje ka shënuar dikush një koncert në Fushë-Arrëz, një tjetër ka shënuar një koncert për shqiptarët jashtë atdheut, në një lagje atje. Nuk mund ta ekuivalentosh këtë me një shfaqje në La Scala apo një hapje të sezonit në Vjenë. Janë këto çuditë e bukura që mund t’i gjesh vetëm në vendin tonë,” – tha Gjipali.
Ai është një nga tenorët më të njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe ndërkombëtarisht, me performanca në teatrot më prestigjiozë të botës: La Scala në Milano, La Fenice në Venecia, Opéra Bastille në Paris, Covent Garden në Londër, San Francisco Opera House, Sydney Opera House e shumë të tjerë. Por kjo nuk e ka diferencuar aspak Gjipalin dhe artistë të tjerë me karrierë të konsoliduar nga grupi i madh që ka përfituar tituj që, për shumëkënd, janë të pamerituar.
Ky “inflacion” titujsh ka sjellë pasoja të rëndësishme. Grada të tilla nuk janë regjistruar ende nga Ministria e Arsimit dhe nuk kanë asnjë efekt financiar. Universiteti i Arteve, përmes një shkrese zyrtare, i ka kërkuar ndihmë ministrisë për të sqaruar situatën, por kjo e fundit është përgjigjur se zgjidhja duhet të vijë nga vetë institucioni, për sa kohë titujt janë miratuar nga Senati Akademik.
Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë çështje dhe për të kuptuar nëse do të ketë një zgjidhje të afërt, “Piranjat” u përballën me rektorin e Universitetit të Arteve, z. Erald Bakalli.
Ai deklaroi se, sipas tij, numri i titujve nuk është i lartë, pasi për mbi 10 vite nuk ishte dhënë asnjë titull nga universiteti. Lidhur me mosregjistrimin dhe mungesën e përfitimeve financiare, Bakalli premtoi se do të bashkëpunojë me Senatin Akademik dhe Bordin e Administrimit për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.