Banda e Troplinëve kontrollonte Portin e Durrësit! 3 mijë € për të kaluar pa kontroll - Si 'Vis Poja' ndërmjetësoi kalimin e Edison Gjokut të deportuar!
Porti i Durrësit, simboli i lidhjes së Shqipërisë me Perëndimin, rezultoi se mund të shndërrohet në një portë të hapur për trafik ndërkombëtar. Dhe kjo, jo vetëm për shkak të neglizhencës, por për shkak të bashkëpunimit aktiv të punonjësve të shtetit me krimin e organizuar
Dosja e operacionit “Ura’ që Syri.net disponon nxjerr në pah lidhjet e organizatës së fuqishme kriminale të Xhevdet Troplinit me policinë dhe si grupi i tij kishte kontrollin jo vetëm të Durrësit por dhe portin porta kryesore e Shqipërisë drejt Europës.
Autoritetet italiane nuk kanë asnjë dyshim se Xhevdet Troplini, i njohur si Poja, është kreu organizatës së fuqishme që trafikon lëndë të forta narkotike nga Amerika Latine në drejtim të Europës.
Ndërkohë kreu i PD, Sali Berisha ka akuzuar grupin e tij se ka punuar në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 për të siguruar vota për Partinë Socialiste.
Porti, porta e hapur për Troplinët
Në dosjen e siguruar nga Syri, evidentohet si porti i Durrësit shndërrohej në një portë të hapur për grupin e Troplinit që kontrollonte trafikun e drogës nëpërmjet nipit të tij Elvis Doci dhe njerëzve të tij të afërt. Bëhet fjalë për një skemë të mirëorganizuar të bashkëpunëtorëve, ndërmjetësve dhe kontrollorëve të cilët mbyllnin sytë për të kaluar ato që kërkoheshin kundrejt shpërblimit financiar.
Tre vitë më parë (2022) Edison Cukaj (alias Gjoka), pjesë e grupit kriminal dhe me ekspuls 3 vjeçar mundi të kalojë lehtë portin e Durrësit me një pasaportë të dyshimtë, pa asnjë ndalesë provë se siguria kufitare në port ishte farsë.
Por ndërsa më 15 qershor 2022, Edison Cukaj arriti të kalonte portin e Durrësit pa i hyrë “gjëmbë në këmbë‘ u ndalua një ditë më pas nga autoriretet italiane të cilat zbuluan se dokumentacioni i tij ishte i parregullt. Jo vetëm kaq, autoritetet italiane zbuluan se ndaj tij ekzistonte një ekspuls trevjeçar në zonën Schengen i lëshuar nga Sllovenia në vitin 2019.
“Visi i Pojes ndërmjetës”
Sipas dosjes hetimore, më 14.06.2022, Ervis Deti takohet me shtetasin Bexhed Mema në një lokal në Durrës. Ky i fundit dyshohet si organizatori i kalimit kufitar për Edisonin, ndërsa roli i Vis Pojës ishte ai i ndërmjetësit mes palëve.
Një ditë më pas, më 15.06.2022, rreth orës 18:40, Edison Gjoka shihet në një automjet tip Audi A8 me targa AB458DH, së bashku me Visin. Ata frekuentojnë lokalin "Xh…" pranë stacionit të trenit në Durrës, ku janë takuar me Bexhed Memën dhe dy persona të tjerë të paidentifikuar. Rreth orës 19:00, një nga këta persona i dorëzon Edisonit një pasaportë.
“Ne qoftese nuk kalon do i maresh lekt mrapsht?...” thuhet në një nga bisedat e përgjuara.
„Porosia e Lokut‘
Më pas, Gjoka viziton agjencinë e udhëtimit "E…" për të prerë biletën, ndërsa grupi ndalon te piceria “P..”.
Aty lihet një shumë parash, që më vonë vërtetohet të jetë 3 mijë euro, të cilat i dorëzohen përmes një personi të quajtur Arni, sipas porosisë së “Lokut”.
“Hap pas hapi’
Përmes një sërë përgjimesh telefonike, dokumentohet se Edison Gjoka udhëhiqet hap pas hapi nga një bashkëpunëtor për të kaluar nëpërmjet sportelit të kontrollorit Naim Behluli – një punonjës i Policisë Kufitare, i caktuar në shërbim atë natë në portin e Durrësit.
“Ke Naimi thuji atit”, “cun i ri bjond”, “maje telefonin hap, hajde.” “...po pra djathtas, djathtas, si e kishte ai, Naim? … thuji ke Naimi.”
Gjoka kalon në sportelin e Naim Behlulit dhe nuk përballet me asnjë pengesë përkundër faktit se ishte subjekt i një ekspulsi të mëparshme në zonën Schengen.
Edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë e konfirmojnë këtë kalim pa kontroll të rregullt dokumentacioni.
"Rrugë të mbarë plak..“.
Pasi kalon kontrollin në port Edisoni bisedon me bashkëbiseduesin për ti thënë se gjithçka kaloi mirë
Edisoni: kalova, po sa kalova ktu...
686- mbarove?...
Edisoni - po ktu po...
686 - a marove komplet?...
Edisoni- po po, tu prit jam ne rradh...
686 - po pra, ishe ke ai shoku e?...
Edisoni - po po, po mer kalova un si jo...
686 - rrug te mbare e plak...
Edisoni - hajde faleminderit..
686 - hajd hajd.
3 mijë euro kalimi
Nga përgjimet e siguruara nga Prokuroria, rezulton se për kalimin e Edison Gjokës në port është paguar shuma prej 3,000 euro, të cilat janë dorëzuar në picerinë “Piccolo”.
Në një prej komunikimeve të përgjuara të datës 16.06.2022 thuhet:
“Loku 3 mijë euro, i ka mor Arni kaq, ska na i gjo...”
Në një tjetër bisedë përmendet se Edisoni “i ka dorëzuar edhe çelësat e makinës dhe mjetin një personi të identifikuar nga Loku”, çka tregon për një skemë të mirëkoordinuar për të fshehur gjurmët dhe shmangur çdo hetim të mundshëm në kohë reale.
Ndalesa në portin e Barit
Pasi hyri në territorin italian përmes Portit të Barit, autoritetet italiane zbuluan se dokumentacioni i Edison Gjokës ishte i parregullt. Ai u ndalua dhe më pas u deportua në Shqipëri. Gjithashtu autoritetet italiane zbuluan se ndaj tij ekzistonte ekspulsi trevjeçar në zonën Schengen i lëshuar nga Sllovenia në vitin 2019.
Dosja
Prokuroria e Posaçme SPAK ka krijuar një dyshim të arsyeshëm se veprimtaria e paligjshme është zhvilluar në bashkëpunim mes shtetasve Ervis Deti, Edison Gjoka, Serxho Shkodra, kontrollorit të kufirit Naim Behluli dhe të tjerë personave që kanë marrë pjesë në këtë trafikim, përfshirë ata që kanë dorëzuar pasaportën dhe kanë pranuar pagesën në piceri. Ndërkohë Visi I Pojës ka luajtur rolin e ndërmjetësit për të kaluar kufirin.
“Më datë 15.06.2022, Ervis Deti ka zhvilluar një takim me shtetasin Edison Cukaj alias Gjoka. Takimi i tyre u bë i mundur nëpërmjet ndërmjetësimit të shtetasit Serxhio Shkodra. Nga përgjimet e komunikimeve telefonike rezulton se Edisoni ka njohje me Serxhon dhe se ky i fundit i kishte premtuar se Visi do ta lidhte me një person tjetër për ta ndihmuar të kalonte kufirin e Shqipërisë në drejtim të Italisë, kundrejt vlerës së 3 (tre) mijë euro.
Personi që do ti siguronte lidhjen me inspektorin e policisë kufitare në Portin e Durrësit do të ishte Bexhed Mema. Më konkretisht, nga vëzhgimet në ambiente publike ka rezultuar se Visi, Bexhed Mema dhe dy persona të tjerë që shoqëronin këtë të fundit, janë parë duke i dhënë një pasaportë Edisonit. Më pas Visi dhe Edisoni kanë shkuar në picerinë "Piccolo" që ndodhet në rrugën "Iljaz Reka", Durrës ku do të linin shumën prej 3 (tre) mijë eurove si garanci në rast se do kalonte në Itali pa patur probleme” thuhet në dosje.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria nënvizon se hetimet për këtë episod janë ende në vijim dhe pritet që ndaj të përfshirëve të ngrihen akuza për kalim të paligjshëm të kufirit, korrupsion pasiv dhe aktiv të funksionarëve publikë, si dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ky rast ngre alarme serioze për sigurinë kombëtare dhe integritetin e strukturave tona kufitare.
Si është e mundur që një shtetas i deportuar më parë nga Italia të kalojë pa asnjë problem nëpërmjet sistemit TIMS.