Si ta shmangim nihilizmin qëllimor

Ankthi për qëllimin, zhgënjimi, frika madje edhe depresioni nga vështirësia për të gjetur një ndjenjë qëllimi, është shumë i zakonshëm. Kërkimet tregojnë se deri në 91% e njerëzve e përjetojnë atë. Kur kërkimi bëhet i pafundmë dhe i dhimbshëm, disa bien në nihilizmin qëllimor: besimin se qëllimi nuk ekziston fare.

Por nihilizmi qëllimor nuk është fundi, është thjesht një formë tjetër e ankthit për qëllimin dhe mund të kapërcehet duke ndryshuar mënyrën si mendojmë për të.

Si shfaqet nihilizmi qëllimor

Ankthi për qëllimin mund të çojë në varësi pas punës, ndërrim të vazhdueshëm punësh, bllokadë kreative dhe më shumë. Nihilizmi qëllimor është edhe më keq: është kur ankthi bëhet aq dërrmues sa njerëzit heqin dorë plotësisht nga kërkimi.

Tre keqkuptime kryesore e ushqejnë këtë:

1. Besimi se nuk ekziston asnjë qëllim

Shumë njerëz mendojnë se ekziston një "Qëllim i Madh", një mision madhështor që përcakton jetën e tyre. Kur nuk e gjejnë dot, arrijnë në përfundimin se qëllimi duhet të jetë një mit.

Antidoti është të kalosh te "qëllimi i vogël": aktivitete të vogla ditore që na japin gjallëri, mentorimi, pikturimi, lidhja me të tjerët. Qëllimi nuk është një majë mali; është një shteg që e shkelim çdo ditë.

2. Ngatërrimi i qëllimit me kuptimin

Qëllimi është i orientuar nga veprimi dhe i drejtuar drejt së ardhmes. Kuptimi është reflektues dhe i përqendruar tek e kaluara. Shumë njerëz gabimisht ndjekin kuptimin përmes veprimeve, duke shpresuar që çdo hap të ndihet domethënës. Kur kjo nuk ndodh, zhgënjimi rritet.

Nuk ke nevojë për një "pse" të madhe për të jetuar me qëllim. Mjafton të veprosh, duke bërë gjëra që sjellin gëzim dhe përmbushje.

3. Besimi se duhet ta gjesh qëllimin tënd

Qëllimi nuk gjendet si një thesar i fshehur; ai ndërtohet me hapa të vegjël. Identifiko "pikat referimit të qëllimit", aktivitete, kauza dhe marrëdhënie që të japin energji, dhe krijo më shumë hapësirë për to në jetën tënde.

Të presësh për ta 'gjetur' qëllimin të mban pasiv. Ndërsa ta ndërtosh të vë sërish në kontroll, duke ndihmuar në uljen e ankthit, lodhjes dhe dëshpërimit.

Qëllimi nuk është luks, por jetik

Nihilizmi qëllimor mund të duket racional pas viteve të zhgënjimit, por ai të shkëput nga një prej ushqimeve më jetike të jetës: shpresa. Studimet tregojnë se një ndjenjë qëllimi rrit lumturinë, shëndetin dhe madje edhe jetëgjatësinë.

Zgjidhja është të ndryshosh narrativën tënde. Mos e trajto qëllimin si një zbulim të rrallë dhe madhështor. Trajtoje atë si një praktikë të përditshme, të ndërtuar dhe ushqyer përmes veprimeve të vogla e kuptimplota.

Nëse po lufton me nihilizmin qëllimor, kujto: qëllimi ekziston. Thjesht mund të mos duket ashtu siç e ke pritur. Përqendrohu te qëllimi i vogël, ndaji kuptimin nga qëllimi dhe prano se qëllimi nuk gjendet, por ndërtohet.

Duke e bërë këtë, ti rimerr kontrollin, dhe shpresën që nihilizmi qëllimor përpiqet të ta marrë. / Psychology Today - Syri.net