SYRI TV/ Ermal Dredha e 'dredh' përsëri, pas zgjedhjeve mbetjet në zemër të Vlorës
Ky është postimi që bënte kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha në datën 29 prill, ku njoftonte qytetarët se bashkia kishte nisur depozitimin e mbetjeve në landfillin e Sherishtës, që ka kushtuar 22 milionë euro, duke i dhënë fund hedhjes së mbetjeve urbane në landfilli e vjetër që ndodhet në lagjen 24 maji.
Këto janë makinat e bashkisë Vlorë, të cilat vijojnë të depozitojnë mbetje urbane në landfillin e vjetër që ndodhet në lagjen 24 maji, duke dëshmuar edhe njëherë mashtrimet e njëpasnjëshme të kryebashkiakut Ermal Dredha.
Në vetëm pak kohë, që kamera e Syri Televizion bëri vëzhgim në landfillin e mbetjeve në lagjen 24 maji, në të u shkarkuan disa makina mbetjesh. Ndërsa brenda në landfill, një brigadë punonjësish pasi mbetjet shkarkohen, ata i kapsulojnë duke i mbuluar me dhe, praktikë kjo që kryhet për të shmangur rrezikun e zjarreve që në këtë landfill janë të shpeshtë.
Banorët e zonës shprehen të zhgënjyer dhe të indinjuar me kryebashkiakun Dredha, i cili premton që prej vitit 2023, se do të marrë fund historia e ndotjes në Vlorë por kjo sagë vijon.
Ndërkohë, askush nga autoritetet nuk ka dhënë një shpjegim zyrtar se përse fusha vazhdon të funksionojë, ndonëse është shpallur jashtë përdorimit. Heshtja nga Bashkia ngre pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe seriozitetin e menaxhimit të mbetjeve urbane në qytet.