SYRI TV/ Lezhë, të rinjtë protestë për arsimin: Unë u largova, krimi s`la vend për mua
Të rinjtë në Lezhë zhvilluan një protestë kundër shpopullimit dhe mbylljes së shkollave, për shkak të mungesës së nxënësve. Në një prej mesazheve, të rinjtë shkruanin se “Unë u largova pasi krimi nuk kishte lënë vend për mua”, duke treguar situatën e rëndë të krimit në vendin tonë që nuk ka lënë pa përfshirë edhe institucionet arsimore.
“Unë u largova pasi krimi nuk kishte lënë vend për mua”, ky ishte një nga mesazhet e protestës së heshtur, që qendra rinore HANA zhvilloi në Lezhë, kundër shpopullimit të vendit dhe braktisjes së shkollave nga të rinjtë.
Protesta ishte konceptuar me karrige dhe banka bosh, në të cilat ishin shkruar mesazhe me thelb shpopullimin e vendit, mbylljen e shkollave, bullizmin në institucionet arsimore etj. Vetë nxënësit që morën pjesë në protestë theksuan se arsimimi sot duket më shumë si një platformë për interesa politike sesa si një proces zhvillimi për të rinjtë.
Një tjetër problematikë që ata evidentuan ishte heshtja e mësuesve, jo nga mungesa e vullnetit, por nga frika dhe presioni që i bën të mos reagojnë ndaj problemeve apo kushteve të vështira në të cilat punojnë.
Ky reagim vjen në një moment ku gjendja në shkollat e Lezhës vazhdon të përkeqësohet, ndërsa diskutimet mbi zgjidhjet mbeten të kufizuara dhe larg prodhimit të politikave konkrete që do të përmirësonin realisht kushtet për nxënësit dhe mësuesit.