SYRI TV/ Ujërat e zeza kryqëzohen me ujin e pijshëm në fshatin Patos, banorët: Uji i pijshëm është i ndotur

Kryqëzimi i kanalit të ujërave të zeza me tubacionin e ujit të pijshëm ka ndotur këtë të fundit në lagjen Fushë të Patos Fshatit.
Banorët shprehen se kanë kërkuar nga bashkia marrjen e masave për largimin e tubit të ujit të pijshëm nga afërsia me kanalizimet e ujërave të zeza, por deri më tani nuk u është ofruar asnjë zgjidhje.

Sipas tyre, kjo pusetë është shkaktarja kryesore e problemit në lagjen Fushë, pasi ujërat e zeza depërtojnë dhe ndotin rrjetin e ujit të pijshëm.

Banorët kanë bërë dhjetëra ankesa, por deri më sot bashkia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të zgjidhur këtë situatë.

Përveç ndotjes së ujit, ata përballen edhe me një rrugë të degraduar që të çon drejt varrezave, duke shtuar vështirësitë në jetën e përditshme.

Të zhgënjyer, banorët thonë se përpara zgjedhjeve lokale kanë marrë premtime për zgjidhjen e këtyre problemeve, por pas votimeve asnjë zyrtar nuk është rikthyer në terren për të marrë masa konkrete.