SYRI TV/ Lagjja nr. 2 në Këlcyrë e mbuluar me plehra, banorët: Bashkia e di, por nuk merr masa
Banorët e lagjes numër 2 të qytetit të Këlcyrës përballen çdo ditë me një situatë alarmante mjedisore.
Në segmentin rrugor që lidh zonën me qendrën e qytetit, mbetjet urbane janë kthyer në një problem të përhershëm. Banorët shprehen se Bashkia e Këlcyrës nuk merr asnjë masë për largimin e tyre, duke vënë në rrezik jetën e fëmijëve që luajnë çdo ditë, si dhe duke shtuar rrezikun për përhapjen e sëmundjeve.
Ata pohojnë se ndërmarrja e pastrimit dhe gjelbërimit, apo vetë bashkia, ndërhyjnë shumë rrallë. Në disa raste, mbetjet nuk mblidhen, por thjesht groposen në vend. Sipas tyre, kjo situatë zgjat prej katër vitesh, pa asnjë zgjidhje përfundimtare.
Një zonjë nga lagjja shprehet se në mesin e mbeturinave janë gjetur edhe veshje të personave që kanë humbur jetën nga COVID-19, gjë që shton shqetësimin për përhapjen e infeksioneve.
Banorët theksojnë se janë taksapagues të rregullt, por institucionet nuk tregojnë as përgjegjësi dhe as ndërhyrje efektive.
Ndërkohë, edhe pse përfaqësues të shëndetit publik kanë qenë të pranishëm në terren dhe janë në dijeni të situatës, deri më sot nuk është marrë asnjë masë konkrete. Banorët kërkojnë zgjidhje urgjente dhe ndërhyrje të menjëhershme, përpara se pasojat të bëhen të parikuperueshme për shëndetin e tyre.