SYRI TV/ Përshpejtohet rënia e lindjeve në vend, në 4 vite, 26% më pak foshnje në Shqipëri
Vijon plakja e popullsisë në vend për shkak të rënies së numrit të lindjeve, si pasojë e emigracionit dhe faktorëve ekonomikë.
Gjatë katër viteve të fundit, numri i lindjeve ka rënë me 26%. Qytetet me më pak lindje ndodhen kryesisht në veri, si Dibra dhe Kukësi, të ndjekura nga Tirana.
Kanë kaluar pothuajse dy vite nga zhvillimi i Censit 2023, por vendi ende nuk disponon të dhënat zyrtare vjetore për popullsinë. Megjithatë, të dhëna të tërthorta si lindjet dhe emigracioni tregojnë se profili demografik i vendit po përkeqësohet me shpejtësi.
Në tremujorin e parë të këtij viti, në shkallë vendi kanë lindur 4,662 foshnja, duke shënuar një rënie prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Nga tremujori i parë i vitit 2021 deri në vitin 2025, lindjet në vend kanë rënë me 26%, sipas të dhënave të Monitor. Ritmet e rënies së lindjeve janë përshpejtuar pas pandemisë.
Duke krahasuar të dhënat për tremujorin e parë, vërehet se numri i lindjeve në tremujorin e parë të vitit 2019 ishte 15% më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit 2011. Të dhënat tregojnë se, veçanërisht pas pandemisë dhe gjatë vitit 2025, lindjet kanë pësuar një rënie të theksuar në të gjitha qarqet. Në zonat veriore, lindjet po bien më shpejt. Kukësi, megjithëse ka një përqindje të lartë të popullsisë së re, ka pësuar rënien më të madhe të lindjeve në shkallë vendi me mbi 22% në tremujorin e parë të vitit 2025 (shih grafikun bashkëngjitur).
Kukësi dhe Dibra, si territore të varfra, janë përballur gjatë dekadës së fundit me një valë të lartë emigrimi. Si pasojë, lindjet në këto zona kanë rënë me më shumë se një të pestën brenda një viti, sipas INSTAT.
Rënie të ndjeshme kanë pësuar edhe lindjet në Tiranë. Edhe pse kryeqyteti përjeton ende një fluks të lartë të migrimit të brendshëm, kostoja e lartë e jetesës, çmimet e banesave dhe trendi drejt më pak fëmijëve kanë ndikuar në uljen e fertilitetit. Tirana është i vetmi qark që paraqet kontrast: nga njëra anë ka rritje të popullsisë, por nga ana tjetër, shënon rënie të ndjeshme të lindjeve. Në tremujorin e parë të vitit 2025, Tirana renditet e dyta në vend për rënie të lindjeve, me një ulje prej 18%.
Qarqet bregdetare dhe jugore kanë një rënie më të butë të lindjeve. Vlora, Gjirokastra dhe Berati shënojnë rënie njëshifrore, pasi kanë kaluar rënie të forta në vitet e mëparshme dhe tashmë kanë një popullsi të plakur.
Megjithëse vendi po përjeton rritje ekonomike, kjo nuk po reflektohet në përmirësimin e treguesve demografikë. Rritja ekonomike dhe rënia e lindjeve po ndjekin një marrëdhënie të përpjesëtuar në mënyrë të zhdrejtë.
E vetmja politikë pro-lindje e mirënjohur është bonusi për bebet: 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin. Megjithatë, kjo shumë mbetet simbolike krahasuar me koston reale të rritjes së një fëmije. Në shumicën e rasteve, kostot e larta të banesave, arsimi privat dhe pasiguria në tregun e punës janë faktorë që pengojnë çiftet e reja të sjellin në jetë fëmijë.