Shkëmbinjtë koralorë në rrezik, 84% prej tyre në rang global janë prekur nga zbardhja
Një valë shkatërruese zbardhjeje po godet shkëmbinjtë koralorë në të gjithë globin, duke shkaktuar një krizë të paprecedentë ekologjike.
Më shumë se katër të pestat e koraleve në oqeanet e botës janë ekspozuar ndaj stresit termik ekstrem, për shkak të temperaturave rekord të ujërave detare që lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike.
Sipas Iniciativës Ndërkombëtare për Shkëmbinjtë Koralorë (ICRI), një rrjet që përfshin mbi 100 shtete, organizata joqeveritare dhe agjenci shkencore, vala aktuale e zbardhjes që ka nisur në fillim të vitit 2024 përfaqëson krizën më të rëndë të këtij lloji në dekada, duke tejkaluar edhe episodet e viteve 1998, 2010 dhe 2014-2017.
Zbardhja ndodh kur algat mikroskopike (zooxanthellae), të cilat jetojnë në simbiozë me koralet dhe u japin atyre ngjyrën dhe ushqimin, largohen nga trupi i koralit për shkak të temperaturave të larta. Koralet, të privuara nga burimi kryesor i energjisë, mbesin të bardha dhe të pambrojtura.
Nëse nuk rikuperohen shpejt, ‘ato vdesin’ duke lënë pas një ekosistem të rrënuar.
Shkëmbinjtë koralorë janë baza e 25% të të gjithë jetës detare, megjithëse përbëjnë më pak se 1% të dyshemesë oqeanike. Ato janë të domosdoshme për mbrojtjen e vijave bregdetare nga erozioni, ofrojnë ushqim për miliona njerëz dhe luajnë një rol kyç në industrinë globale të turizmit. Humbja e tyre do të kishte pasoja të mëdha ekonomike, ekologjike dhe sociale.
Sipas ICRI, deri në mars 2025, 84% e koraleve botërore ishin ekspozuar ndaj kushteve që pritet të shkaktojnë zbardhje.
Rajone si Barriera e Madhe Koralore në Australi, Karaibet dhe Deti i Kuq po raportojnë vdekje masive të koraleve, ndërsa pritet që pasojat e plota të kësaj krize të bëhen të qarta vetëm pas disa vitesh.
Kjo krizë është përkeqësuar nga fenomeni klimatik El Nino, i cili rrit temperaturat në zonat tropikale të Paqësorit, duke bërë që viti 2024 të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë. Sipas të dhënave klimatike, numri i valëve të nxehtësisë detare është trefishuar, duke i shtuar presionin një ekosistemi tashmë të rrezikuar.
Ndërkohë që një episod i shkurtër i La Nina në fund të vitit 2024 solli një lehtësim të përkohshëm të temperaturave, ai zgjati vetëm tre muaj, shumë pak për të ndalur dëmin që tashmë po ndodh në thellësitë detare.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse ngrohja globale vazhdon me këtë ritëm, oqeanet nuk do të jenë më kurrë mjaftueshëm të ftohta që koralet të mbijetojnë. Pa masa urgjente për të reduktuar emetimet e gazeve serrë dhe për të mbrojtur biodiversitetin detar, njerëzimi rrezikon të humbasë një nga thesaret më të çmuara natyrore të planetit. Syri.net-To Vima.gr