SYRI TV/ Vlora pa rampa për turistët me aftësi të kufizuar, kreu i PAK ngre alarmin: plazhi për këtë kategori, është luks...
Edhe këtë vit turistët me aftësi të kufizuar do të kenë vështirësi për të aksesuar plazhet e Vlorës po edhe zonat e tjera turistike, për shkak të mungesës së infrastrukturës për këtë kategori. Kryetari i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve në Vlorë, Hysen Muhameti, shprehet se banorët e turistët e zonës kanë vështirësi për të lëvizur në qytet ndërsa frekuentimi i plazheve është një luks për shkak të mungesës së rampave.
Syri TV
Teksa Vlora çdo vit është një ndër destinacionet kryesore turistike për pushimet verore, mungesa e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar vijon t’i përjashtojë apo kufizojë nga jeta turistike. Qyteti mbetet ende i paarritshëm për shumë prej banorëve dhe turistëve me aftësi të kufizuar, të cilët përballen çdo ditë me pengesa në rrugë, plazhe, hotele dhe ambiente publike.
Kryetari i Shoqatës së Para dhe Tetraplegjikëve në Vlorë, Hysen Muhameti në një intervistë për Syri TV shprehet se frekuentimi i plazheve të Vlorës është një luks për personat me aftësi të kufizuar, pasi ata e kanë të vështirë të aksesojnë këto ambiente për shkak të mungesës së rampave.
Mungesa e korridoreve të posaçme, stacione plazhi të aksesueshme për të gjithë ka ndikuar edhe në sektorin e turizmit. Ervin Sota, një nga operatorët lokalë, e sheh këtë si një pengesë serioze për zhvillimin gjithëpërfshirës të turizmit.
Infrastruktura për personat me aftësi të kufizuar mungon edhe në qytete të tjera të vendit, çfarë kufizon lëvizshmërinë e banorëve të zonës por edhe të turistëve të huaj me aftësi të kufizuar.