SYRI TV/ Arti i drugdhendjes shpresë për gjirokastritët, artizanët angazhojnë turistët në punën e tyre

Mjeshtrat e gdhendjes në dru i janë kthyer zanatit të tyre të vjetër duke rijetëzuar kulturën e të parëve të tyre. Në Gjirokastër interesimi i turistëve për të pasur një kujtim autentik nga vizita e tyre në qytetin e gurtë ka shtuar shpresën tek qytetarët vendas për të prodhuar punime artizanale e bashkë me to edhe pak para, për të ruajtur familjet e tyre, pasi në këtë zejtari janë të angazhuar edhe pensionist për shkak se paga që ata marrin nuk është e mjaftueshme për të përballuar jetesën. Por ka edhe nga ata mjeshtra të rinj të cilët i inkuadrojnë edhe turistët për të mësuar se si trajtohet druri për të nxjerrë një vepër arti. Ndjekim materialin e përgatitur nga kolegia jonë në Gjirokastër Ervina Shehaj.

Syri TV

Vlerat e artizanatit dhe mjeshtërive tradicionale në Gjirokastër po tërheqin interesimin në rritje të turistëve. Në këtë sezon pranvere qendrat e artizanatit në qytetin e gurtë janë kthyer në atelie trajnimi ku turistët njihen dhe mësojnë zanatet e traditës. Këto vlera të traditës të transmetuara në breza turistët i cilësojnë tërheqëse dhe interesante.

“Është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë, na pëlqen shumë që të krijojmë punime të thjeshta karakteristike, ju keni tradita shumë të bukura në këtë drejtim, është diçka e bukur të realizosh gjëra të tilla në gdhendje druri”.

"Më pëlqen shumë natyra dhe historia e Shqipërisë, në këtë qendër artizanati po mësojmë si të realizojmë punime të thjeshta në dru të gdhendur, po përjetojmë një eksperiencë të veçantë dhe shumë interesante".

Përgjatë sezonit turistik të pranverës qendrat e artizanatit janë pjesë interesante e guidave turistike duke prezantuar për turistët e huaj edhe vlerat e traditave tona kombëtare.

Turizmi po nxit rikthimin e zejtarisë dhe punimeve karakteristike në Gjirokastër ndërsa tashmë cilësohet si një aset i cili prej vitesh është lënë në harresë për shkak të modernizimit të shumë sektorëve, por punimet me dorë mbetën të pazëvendësueshme në çdo kohë.