SYRI TV/ Blerja e votave thyen heshtjen zgjedhore, qindra denoncime për blerje votash
Me qindra denoncime kanë mbërritur në redaksinë e Syri TV, të cilat tregojnë për tentativa blerjeje votash edhe në ditën e heshtjes zgjedhore.
Një nga pamjet tregon një familjare të kandidatit Murat Dani në një ambient të fshehtë, që sipas denoncuesit përdoret si bazë për shpërndarjen e parave.
Ndërkohë, në një tjetër video shfaqen zyrtarë socialistë që shpërndajnë leje legalizimi dhe tapi për banorët e zonës së Freskut.
Heshtja zgjedhore nuk i ka penguar zyrtarët e Partisë Socialiste të angazhohen në tentativa për blerje ose manipulim të vullnetit të qytetarëve. Në redaksinë e Syri TV janë dërguar denoncime që tregojnë momentet kur zyrtarë dhe familjarë të kandidatëve socialistë angazhohen në mënyrë të fshehtë për blerje votash, qoftë me para, qoftë me premtime për legalizime apo përfitime të tjera.
Në një nga videot e mbërritura në redaksi, shfaqet shtetasja Rajmonda Dani, e cila është motra e biznesmenit Murat Dani dhe halla e kandidatit për deputet të Partisë Socialiste me të njëjtin emër. Në pamje, ajo duket teksa ndodhet në një ambient të izoluar së bashku me disa persona të tjerë, ku hyjnë e dalin me blloqe shënimesh dhe kryejnë koordinime të dyshimta. Sipas denoncuesit, në këtë ambient dyshohet se bëhet koordinimi për shpërndarjen e parave me qëllim blerjen e votave.
Një tjetër rast është denoncuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka. Në një video të publikuar prej tij, shihet një zyrtar teksa shpjegon dhe shpërndan leje legalizimi dhe dokumente pronësie për banorët e Freskut. Sipas Nokës, personi në fjalë është patronazhist i Partisë Socialiste, dhe sipas tij, sheshet dhe hapësirat përreth pallateve në këtë zonë janë shndërruar në vende për shpërndarjen e tapive.
Këto nuk janë rastet e vetme. Në redaksinë e Syri TV kanë mbërritur me qindra denoncime nga qytetarë të ndryshëm, të cilët raportojnë për manipulime dhe parregullsi që po ndodhin në orët e fundit përpara zgjedhjeve, të kryera nga zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.