OBSH rekomandon strategjinë për lënien e duhanit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar së fundmi një analizë të gjerë mbi trajtimet më efektive për të ndihmuar individët që duan të ndërpresin pirjen e duhanit.

Ky udhëzues vjen në një kohë kur mbi 750 milionë njerëz në mbarë botën duan të heqin dorë nga ky zakon, por shumica e tyre nuk kanë akses në shërbime efektive për shkak të mungesës së burimeve në sistemet shëndetësore.

Pse krijohet varësia nga duhani?

Duhani përmban nikotinë, një substancë që ndikon në sistemin nervor qendror dhe krijon varësi. Ajo shkakton çlirim të dopaminës, një kimikat që lidhet me ndjesinë e kënaqësisë, duke e bërë të vështirë largimin nga ky zakon. Kjo është arsyeja pse pirja e duhanit bëhet më shumë se një zakon, ajo shndërrohet në një varësi kimike dhe psikologjike.

Strategjitë që rekomandon OBSH

OBSH nënvizon se vendet, veçanërisht ato me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duhet të ofrojnë trajtime të subvencionuara ose falas për të lehtësuar largimin nga duhani. Strategjia e sugjeruar është gjithëpërfshirëse dhe përfshin ndërhyrje farmaceutike, mbështetje klinike, këshillim psikologjik dhe lehtësira financiare.

Trajtimet më efektive të rekomanduara janë:

1.Vareniklina: Një ilaç pa nikotinë që redukton dëshirën për pirje duke ndikuar në receptorët e nikotinës në tru.
2.Terapia zëvendësuese e nikotinës: Përdor ngjitëse, çamçakëz, sprej apo tableta për të dhënë doza të kontrolluara nikotine dhe për të reduktuar simptomat e abstinencës.
3.Bupropioni: Një pilulë pa nikotinë që ndihmon në reduktimin e ankthit dhe simptomave të tërheqjes, duke rritur nivelet e dopaminës në tru.
4.Citisina: Një përbërës natyral me efekt të ngjashëm me nikotinën, që ndihmon në zbutjen e simptomave të varësisë.

Përveç trajtimeve farmaceutike, OBSH thekson rëndësinë e këshillimit të shkurtër, që mund të zgjasë vetëm nga 30 sekonda deri në 3 minuta, por që mund të ketë një ndikim të madh kur ofrohet nga profesionistë të shëndetit.

Këshillimi më i thelluar dhe ndërhyrjet për ndryshim të sjelljes përmes takimeve individuale, në grup apo edhe me anë të telefonit, përmenden si mbështetje e domosdoshme për suksesin afatgjatë.

OBSH u bën thirrje shteteve të forcojnë kapacitetin e tyre për të ofruar këto shërbime, duke e konsideruar ndërprerjen e pirjes së duhanit jo vetëm si një çështje individuale, por si një prioritet të shëndetit publik. Syri.net-iefimerida