SYRI TV/ Fermerët e Ormanit në Maliq në krizë: Prodhimet po hidhen në kanal

Prodhime bujqësore të hedhura në kanale dhe fermerë që po shesin makineri dhe toka bujqësore, me qëllim largimin nga Shqipëria, për shkak të krizës në bujqësi. Kjo është situata në fshatin Orman të bashkisë Maliq, ku, sipas fermerëve, braktisja nga shteti, mungesa e tregjeve dhe subvencioneve i po detyrojnë ata të heqin dorë përgjithmonë nga bujqësia dhe nga qëndrimi në Shqipëri.

Në mungesë të tregut dhe vëmendjes nga shteti, këto produkte përfundojnë si mbetje ose si ushqim për bagëtitë. Fermerët ndihen të braktisur dhe pa asnjë mbështetje institucionale.

Një fermer rrëfen se ka vendosur të largohet nga vendi, duke shitur ose falur të gjitha makineritë dhe veglat bujqësore që ka blerë gjatë viteve.

Kjo është drama e qindra familjeve që kanë investuar jetën në bujqësi dhe sot përballen me falimentim dhe harrim, duke menduar largimin.