4 ditë kërkime, asnjë gjurmë nga 29-vjeçari! Ardit Beshiri u zhduk në masivin e kromit në Klos

Kërkimet për gjetjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili u zhduk më 3 maj, bashkë me mjetin eskavator teksa po punonte në një stog minerali në zonën e njohur si Qaf Burrel të Klosit, vijojnë pa ndërprerje

Që prej mesditës së të shtunës së kaluar nuk ka asnjë gjurmë nga Ardit Beshiri.

Dyshohet se pas çarjes së një rezervuari i cili është krijuar për të  filtruar ujërat që rrjedhin gjatë procesit të përpunimit të kromit ai u rrëmbye me gjithë mjetin me të cilin po punonte.

Gjatë këtyre ditëve forcat e kërkim-shpëtimit, forcat e  armatosura, banorë të zonës e familjarë janë vënë në kërkim të 29 vjeçari nga fundi i rrjedhës së përroit e cila është afër lumit Mat e në drejtim të Qaf Burrelit, ku dhe ndodhet fabrika e përpunimit të kromit. Ndërsa dje një mjet tip fadromë ka zbritur në përrua ku gjatë rrjedhës ka shumë rërë e ku mendohet të jetë trupi i 29 vjeçarit.

Sot për të ndjekur nga afër përpjekjet për gjetjen e 29 vjeçarit ka mbërritur edhe kreu i emergjencave civile Haki Çako.

Të shtunën e 3 Majit 29 vjeçari Ardit Beshiri ka qenë duke punuar me eskavator, në stokun e fabrikës së përpunimit të kromit, e cila muajt e fundit shfrytëzohej nga një shoqëri kineze. Në rrethana ende të paqarta është çarë rezervuari dhe nga vërshimi i ujit dhe inerteve, i riu është rrëmbyer nga rrjedha bashkë me mjetin e tij.