SYRI TV/ 1 maji në Gjirokastër pa punë e pa punëtor, bizneset nuk gjejnë staf

SYRI TV

Qyteti i Gjirokastrës dikur ishte pikë referimi për kërkim pune, por sot në këtë qytet nuk ka as punë dhe as punëtorë. Në qytetin e gurtë edhe ato pak biznese që operojnë, kanë mungesë të theksuar të punëtorëve, pasi rinia ka lëshuar vendin për një jetë më të mira, për shkak se në Shqipëri ndjehen  të braktisur nga shteti. Ndjekim materialin e përgatitur nga kolegia jonë në Gjirokastër Ervina Shehaj.

Dikur, sheshi përballë ndërmarrjes së shërbimeve në qytetin e gurtë, i njohur si N.SH.N, gumëzhinte çdo mëngjes nga zëri i dhjetëra punëtorëve që prisnin një ofertë pune. Të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, me shpresën për një ditë më shumë pune dhe një ditë më pak brengë ekonomike, ata e kishin kthyer atë vend në një pikë takimi të përditshëm të mbijetesës.

Sot, të njëjtin vend e përshkon heshtja. Shumë pak punëtorë ose aspak ,shfaqen në mëngjes për të kërkuar punë. Disa prej tyre thonë se janë lodhur nga premtimet, të tjerë janë larguar jashtë vendit.

"Kjo është mënyra tonë për të mbajtur familjen me bukë,” shprehen  disa burra që ende vijnë aty për të kërkuar ndonjë mundësi rastësore. “Tani s’ka më punë, s’ka më njerëz, vetëm heshtje’.

Nga ana tjetër, bizneset e vogla dhe të mesme në qytet ankohen për mungesën e fuqisë punëtore. Ndërkohë që vendet e punës ekzistojnë, mungojnë duart që të punojnë.

Një përmbysje ironike për një realitet që dikur i vuante të kundërtat. Në këtë atmosferë kontrasti, vjen 1 Maji një ditë që në Shqipëri shpesh shihet më shumë si festë sesa si protestë. Por për shumë punëtorë që kanë mbetur pa punë, dhe për sipërmarrës që nuk gjejnë punëtorë, kjo ditë është një kujtesë e zymtë e një sistemi që s’funksionon për askënd. Në një qytet me histori të pasur pune dhe krenarie për zanatet, sheshi i boshatisur përpara N.SH.N është një pasqyrë e qartë e krizës ekonomike, shpopullimit dhe mungesës së shpresës. Dhe 1 Maji, më shumë se festë, duket se mbetet një ditë simbolike për të ngritur zërin por që askush se bën.