Naftëtarët e Bankers Petroleum në protestë: Duam paga të larta e sigurime të plota

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, Sindikata e Punonjësve të Hidrokarbureve, në bashkëpunim me punonjësit e Bankers Petroleum, organizoi një protestë paqësore në fushën naftëmbajtëse të Marinëzit, në Fier. Protesta u zhvillua në orën 12:00, me synimin për të ngritur shqetësimin për mosrespektimin e të drejtave të punëtorëve dhe përkushtimin ndaj kushteve të punës.

Përfaqësues të sindikatës theksuan se kjo ishte një thirrje për institucionet dhe kompaninë që të dëgjojnë shqetësimet e punëtorëve dhe të adresojnë problemet e kahershme që kanë mbetur pa përgjigje. Ata theksuan se ky protestë nuk ka karakter politik dhe as nuk është kundër investimeve, por është një apel për dinjitetin e punëtorëve dhe për një trajtim të drejtë dhe të barabartë.

Një nga protestuesit deklaroi: “Sa është paga e drejtuesit të kompanisë Bankers, është e barabartë me pagat e të gjithë punonjësve.” Ai shtoi se kërkesa e tyre kryesore është meritokracia, duke kërkuar që punonjësit të marrin atë që meritojnë dhe të mos diskriminohen për faktin se ngrisin zërin kundër padrejtësive.

Ai theksoi gjithashtu diferencën mes punonjësve të zyrave dhe atyre të fushës, ku punonjësit e dërguar nga jashte përfitojnë më shumë dhe marrin bonuse më të larta sesa ata që janë të angazhuar direkt në prodhim. “Prodhimin e nxjerrin këta, zoti Zhan”, përfundoi ai, duke kërkuar një trajtim të barabartë dhe të drejtë për të gjithë punonjësit.