Banorët e fshatit Gryksh në protestë: Bojkotojmë zgjedhjet nëse Balluku s'jep llogari për projektin e rrugës

Banorët e fshatit Gryksh në Elbasan kanë organizuar një protestë  për të denoncuar mungesën e transparencës dhe angazhimit nga autoritetet shtetërore për një projekt rrugor që kërcënon të izolojë plotësisht fshatin e tyre.

 Gjatë protestës, banorët kërkuan që ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, të vizitojë zonën brenda tre ditëve, duke paralajmëruar se në rast të mosveprimit, ata do të bojkotojnë zgjedhjet.

“Ne jemi të izoluar dhe kjo është protesta e dytë që bëjmë. Qeveria ka 12 vite që nuk ka bërë asnjë investim në infrastrukturën e fshatit tonë. Nuk duam fjalë në ajër, duam projektin dhe përgjigje konkrete për situatën tonë,” shprehen banorët.

Ata theksuan se rruga që po planifikohet të ndërtohet do të bllokojë të gjithë fshatin, duke theksuar se kjo është një lëvizje e pavlerë dhe një shenjë e mungesës totale të transparencës nga ana e pushtetit.

 Banorët kërkuan një zgjidhje të menjëhershme dhe të qartë për këtë çështje të rëndësishme.

Deklarata e tyre:

"Ju bëj thirrje të gjithë banorëve të fshatit që ti bëjmë thirrje ministres Balluku se nëse nuk vjen këtu brenda 3 ditëve, ne do bojkotojmë votimet. Ose do ikim do futemi në Ambasadë që të përsërisim korrikun e 1991 dhe kjo është protesta e dytë dhe asgjë konkrete nuk ka.

Të vijë të na japë projektin e të na thonë se është kjo, nuk duam ne fjalë në ajër. Ne jemi të izoluar, dhe kjo është protesta e dytë që bëjmë pasi kjo rrugë do na bllokojë gjithë fshatin.

Qeveria ka 12 vite që nuk i ka hedhur asnjë gurë as plis fshatit dhe kjo lëvizje ishte nga ana e tyre për të treguar se ja ne po e bëjmë këtë gjë të vogël, kur këtu nuk ka zero transparencë. Edhe rruga që ne shkelim tani ka zero transparencë, këta vijnë e i hedhin hi syve popullit".