Arne Slot futet në histori: Speciale ta fitosh titullin me tifozët, meritë edhe e Klopit
Arne Slot është trajneri i pestë që fiton Premier Ligën në sezonin e tij të parë në Angli, pas Murinjos (2004-05), Ançelotit (2009-10), Pelegrinit (2013-14) dhe Kontes (2016- 17).
“Është e vështirë ta shpjegoj me fjalë. Pamjet këtu dhe ato para ndeshjes tregojnë më shumë sesa mund të përshkruaj unë. Prania e tifozëve është ajo që e bën këtë moment kaq të veçantë. Para 3-4 vjetësh ata fituan titullin, ishte një arritje e jashtëzakonshme, por tifozët nuk ishin aty. Kështu që ndjen se sa e rëndësishme ishte për ta të ishin të pranishëm. Djemtë bënë një punë të jashtëzakonshme, bashkë me tifozët tanë”, tha tekniku holandez, që mori mikrofonin përpara tifozëve dhe thërriti edhe emrin e Klopit.
Slot, i cili u bë edhe trajneri i parë holandez që fiton Premier Ligën, nuk pati asnjë dyshim te skuadra e tij: “Pësimi i golit nuk ishte ideal, por unë u besoj lojtarëve të mi. Ata gjithmonë gjejnë një mënyrë për të fituar. Nuk mendoja se mund ta humbnim këtë ndeshje. Nëse ishe në këtë stadium, e ndieje qartë. Fokusi ynë kryesor ishte të fitonim këtë ndeshje.
Të gjithë thoshin se ne tashmë e kishim fituar titullin, por ne ende ndienim presionin për ta siguruar matematikisht. Gjatë gjithë sezonit kemi qenë pothuajse gjithmonë në krye të tabelës. E dimë sa e vështirë është Premier Liga, por gjithmonë kemi pasur besimin se mund ta fitonim. Puna që kishin lënë Klop dhe Lijnders, kultura, përkushtimi, cilësia, ishte e jashtëzakonshme. Na ndihmoi edhe periudha e vështirë e Sitit. Kur nisi sezoni do pranonim 4 vendet e para, por kjo nuk do të ishte e drejtë për lojtarët, sepse janë shumë më të mirë se kaq dhe këtë e kanë treguar këtë sezon”.