'Fshati prishet, Belinda krihet'/ Banorët e Hotolishtit protestë për rrugën, përplasen me policinë: Bojkotojmë zgjedhjet

Banorët e Hotolishtit në Librazhd dolën sërish sot paradite në protestë në rrugën kombëtare Librazhd-Përrenjas në shenjë proteste ndaj projektit të rrugës “Elbasan-Qafë Thanë”, e cila parashikohet të kalojë në mes të fshatit. Mes protestuesve dhe policisë pati përplasje verbale dhe shtyrje.

Banorët kërkojnë shpronësime me çmime më të larta dhe ndërtimin e tunelit. Ata mbajnë parulla në duar kundër projektit, por edhe kundër ministres Belinda Balluku. Nje prej tyre shkruan: “Fshati prishet, Belinda krihet”.

Protesta u përshkallëzua kur banorët tentuan të bllokojnë rrugën, çka solli ndërhyrjen e forcave të policisë. 

Mosbindje qytetare është rruga jonë. Kërkojmë mbrojtjen e jetës, shtëpive dhe dinjitetit tonë. Do të vijojmë me protestat dhe bojkotin e zgjedhjeve”, deklaruan ata.

Ndërkohë banorët dhe fëmijët janë ulur këmbëkryq në rrugë në shenjë proteste.

Kjo është protesta e dytë e banorëve, ndërsa paralajmërojnë se nuk do të heqin dorë nga protestat derisa t’u plotësohen kërkesat.