'Ata për të cilët ai lutej'/ Të burgosur, emigrantë dhe të pastrehë do të presin trupin e Papa Françesku në Bazilikën e Santa Maria Maggiore
Nga Alba Kepi
Në Bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë, një grup simbolik prej 40 personash do të presë trupin e Papa Françeskut për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Ata janë të burgosur, të pastrehë, emigrantë, persona transgender, të divorcuar dhe gra viktima të prostitucionit, të gjithë me nga një trëndafil të bardhë në dorë.
Këta individë kishin një raport të veçantë me Papa Françeskun, i njohur për përkushtimin e tij ndaj njerëzve në periferi të shoqërisë.
Në mesin e tyre ndodhen një emigrant kurd turk 31-vjeçar me besim mysliman, një emigrant iraken 23-vjeçar dhe një sudanez 35-vjeçar. Ata do të presin trupin e Papës në shkallët e Bazilikës, duke përfaqësuar ata që Papa Françesku i përmendte shpesh në lutjet e tij.
Ceremonia e varrimit do të zhvillohet më pas pranë Kapelës Paolina e Sistina, në formë private. Në këtë ceremoni do të marrin pjesë familjarët dhe bashkëpunëtorët më të afërt të tij.