Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, Dom Gjergj Meta: Falenderojmë Zotin për shërbimin e tij në gjithë këto vite e të lutemi për shpirtin e tij!
Kreu i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, Dom Gjergj Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dom Gjergj Meta shprehet se Papa Françesku ka dhënë shpirt sot në orën 7:35 të mëngjesit.
Ai shprehet se falenderon Zotin për shërbimin e tij në gjithë këto vite dhe fton besimtarët të luten për shpirtin e tij.
POSTIMI I PLOTË:
Sapo na erdhi lajmi i kalimit në amshim të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, i cili u kthye në shtëpinë e Atit sot rreth orës 7:35 të mëngjesit, mendjet dhe zemrat tona iu drejtuan Hyjit të Gjithpushtetshëm në lutje për shpirtin e tij. Na bien ndërmend muajt e fundit të vuajtjes së tij shëndetësore e në të njëjtën kohë këmbëngulja e tij për të qëndruar pranë popullit të tij si Bari i mirë deri në fund edhe përgjatë këtyre ditëve të Pashkëve. Ditën e Pashkës deshi vetë ai të japë bekimin Urbi et orbi si testamentin e tij të fundit. Ai iku duke na bekuar! Papa Françesku zgjodhi të vizitojë Shqipërinë më 21 shtator 2014 si vendin e parë Evropian pak pasi ishte zgjedhur në krye të Kishës.
Në atë vizitë të gjithë kujtojmë fjalët e tij e më pas përkujdesjen e tij të vazhdueshme për Shqipërinë. Papa Françesku e udhëhoqi kishën në këto vite nëpërmjet një dëshire të thellë ndryshimi dhe reformash. Ai u bë një zë i fuqishëm në të gjithë botën duke shpallur ungjillin e dashurisë ndaj më të varfërve dhe më të përjashtuarve të shoqërisë. Ai ngriti vazhdimisht zërin kundër luftës, armatimeve dhe shkatërrimit të krijimit. Me fjalë dhe me vepra e udhëhoqi Kishën katolike drejt një trajte më të përulur, më të thjeshtë e më sinodale.
Ne i jemi mirënjohës Hyjit që na dha Papa Françeskun në këto vite dhe i lutemi Hyjit që ta pranojë në banesat e amshuara të Mbretërisë së tij. Si ipeshkvinj falenderojmë të gjithë ata që në këto momente na gjenden pranë në mënyra e forma të ndryshme. U bëjmë thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun. Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve dhe këmbanat të bien në shenjë zie duke filluar nga momenti i marrjes së kësaj letre.
Krishti e pastë në parriz Papa Françeskun e i dhashtë dritën e amshuar! Në emër të Ipeshkëvijve të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë,
+ Gjergj Meta President i KISH-it