Banorët denoncojnë abuzimet me tokat në Bashkinë Belsh: Oligarkët po na i marrin

Kandidati për deputet, Dritan Cani, ka denoncuar një situatë të ndjeshme në Bashkinë Belsh, ku banorët e fshatit "Qafë Shkallë" po përballen me humbjen e tokave të tyre të trashëguara.

Sipas Canit, këto toka, që banorët i kanë punuar dhe kultivuar për më shumë se 30 vite, janë lajmëruar se nuk janë më pronë e tyre, pasi ato janë marrë nga oligarkët.

Cani kërkoi që pushteti vendor të sqarojë këtë çështje dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve, duke theksuar se kjo është vetëm një nga disa raste të ngjashme në zonë.

Ai u angazhua gjithashtu për mbrojtjen e pronave të banorëve dhe paralajmëroi se do të vazhdojnë denoncimet për shpronësimet abuzive.

Kandidati për deputet, Dritan Cani:

"Këtu jemi te Bashkia Belsh, banorët janë të revoltuar sepse tokat e tyre të trashëguara, që i kanë mbi 30 vite që i punojnë dhe kultivojnë, janë lajmëruar se nuk i kanë më.

I kërkojmë pushtetit vendor ta sqarojë këtë situatë, sepse banorët e "Qafë Shkallës" nuk mund të kenë mundësinë që t’i kenë të paprekura ato, por me mundimin që kanë bërë për t’i mbjellë këto toka, ato ia ka marrë oligarkët. Nuk e di saktësisht kush ia ka marrë, por e njëjta gjë po ndodh edhe këtu.

Ky nuk është i vetmi rast, kemi disa raste si ky i fshatit "Qafë Shkallë", kemi dhe një tjetër rast që do ta denoncojmë te "Pylli i Marinës", që është betonizuar. Kemi edhe një rast tjetër gjithashtu.

Dhjetëra hektarë që këta anëtarë janë lajmëruar për shpronësim, do t’i dalim në mbrojtje dhe i kërkojmë bashkisë dhe pushtetit vendor të mos prekin pronat e anëtarëve, sepse ne do ta bëjmë edhe më të madhe këtë çështje".

Banorët:

"Në datën 14 kam qenë në punë, vjen policia, i vë hekurat dhe e zapton tokën. Ai nuk ishte fshatari im, nuk e njihja, thjesht më tha se kryetari i bashkisë e kishte dërguar atje, edhe pse ne prej viteve 90' jemi kujdesur për këto toka.

Me këto toka mbajmë familjen, ne kemi fëmijë që i kemi sjellë nga jashtë për t’i mbajtur këto toka, nuk kam vend tjetër ku t’i dërgoj.

Ka shumë kohë që i kam kërkuar këto toka dhe tani na thonë se nuk janë tonat"