Gjysmë përçuesi organik i gjeneratës së ardhshme që do të përmirësojë ekranin e TV dhe smartphoneve
Një arritje e re nga shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit dhe Universitetit të Teknologjisë Eindhoven ka hapur një kapitull të ri në elektronikën moderne. Këta studiues kanë zhvilluar një gjysmëpërçues organik të gjeneratës së ardhshme që ka aftësinë të kontrollojë drejtimin e polarizimit të dritës një risi që premton përmirësime të ndjeshme në ekranet e telefonave celularë, televizorëve dhe shumë pajisjeve të tjera.
Në thelb, teknologjia e re bazohet në përmirësimin e OLED-ve (diodave organike që lëshojnë dritë), të cilat tashmë përdoren gjerësisht në ekranet me definicion të lartë. Por tani, me ndihmën e një përbërjeje të veçantë organike të quajtur triazotruxene (TAT), shkencëtarët kanë arritur të kontrollojnë me saktësi se si lëviz drita brenda këtyre materialeve.
Gjysmëpërçuesit tradicionalë lejojnë që rryma të rrjedhë në të gjitha drejtimet. Por për aplikime të avancuara, si ekranet ultra të hollë, teknologjitë kuantike ose spintronika, ku përdoret ‘spin’ i elektroneve për të ruajtur dhe përpunuar informacion, nevojiten materiale që mund të drejtojnë lëvizjen e elektroneve dhe të kontrollojnë dritën në mënyrë të përcaktuar.
Këtu hyn në lojë TAT, një molekulë organike me strukturë spirale, e cila ‘detyron’ elektronet të lëvizin në mënyrë rrotulluese dhe asimetrike. Kjo lëvizje unike i jep materialit aftësinë të kontrollojë polarizimin e dritës, pra drejtimin e valëve të dritës që emetohen – një veçori me rëndësi të madhe për cilësinë e pamjes vizuale në ekrane.
Polarizimi ndikon drejtpërdrejt në kontrastin, qartësinë e ngjyrave, dhe efikasitetin e energjisë në ekranet moderne. Kontrolli aktiv i polarizimit të dritës lejon krijimin e imazheve më të ndritshme, më të sakta dhe më të kursyera në energji. Për konsumatorin, kjo nënkupton ekrane që janë më të qarta në dritë të diellit, kanë ngjyra më të thella dhe konsumojnë më pak bateri.
Aplikimet e kësaj teknologjie nuk kufizohen vetëm në televizorë dhe telefona. Për shkak të vetive të tij unike, gjysmëpërçuesi i ri organik mund të luajë një rol kyç edhe në fushat e informatikës kuantike dhe spintronikës dy fusha që pritet të revolucionarizojnë përpunimin e informacionit në dekadat e ardhshme.
Shkencëtarët e quajtën këtë zhvillim një ‘moment kyç’, sepse për herë të parë kanë qenë në gjendje të shfrytëzojnë gjeometrinë tredimensionale të molekulave organike për të arritur kontroll optik në nivel mikroskopik një synim që kërkon precizion ekstrem dhe kuptim të thellë të ndërveprimeve molekulare.
Nëse deri më sot përmirësimet në ekranet tona vareshin nga rezolucioni dhe madhësia, tani loja po ndryshon: kontrolli i dritës nga brenda, në nivel molekular, është çelësi për cilësi më të lartë dhe efikasitet më të madh.
Me këtë arritje, gjysmëpërçuesit organikë nuk janë më thjesht një komponent funksional, por një element inteligjent, që formëson dhe udhëheq dritën për përvoja vizuale më të pasura dhe teknologji më të avancuar. Syri.net-tovima.gr.