SYRI TV/ Shoqata e të verbërve letër Ministrisë së Shëndetësisë, ‘qeveria eliminoi shërbimet për ne’
Përmes një letre drejtuar Ministres së Shëndetësisë, Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë shpreh shqetësimin për braktisjen totale të shtetit ndaj personave të verbër në Shqipëri. Sipas tyre qeveria ka eliminuar çdo shërbim të posaçëm për të verbërit, u ka mohuar të drejtat dhe ka lënë pa financim shërbimet që më parë ishin funksionale. Nëse nuk merren masa, Shoqata e të Verbërve bën me dije se do të ndjekë të gjitha format e rezistencës civile.
Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë i ka dërguar një letër Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ku shpreh indinjatën dhe shqetësimin për braktisjen totale të shtetit ndaj personave të verbër në Shqipëri.
Sipas tyre politikat e ndjekura kanë çuar në një diskriminim sistematik, duke shkelur hapur Kushtetutën dhe detyrimet ligjore të qeverisë për të garantuar shërbimet jetike për të verbërit. Në letër shkruhet se për vite me radhë, qeveria ka eliminuar çdo shërbim të posaçëm për të verbërit, ka mohuar të drejtat e garantuara me ligj dhe ka lënë pa financim shërbimet që më parë ishin funksionale.
Shoqata e të Verbërve e konsideron këtë jo vetëm një diskriminim të hapur, por edhe një skemë klienteliste, që i ka kthyer shërbimet për personat me aftësi të kufizuara në një mjet biznesi për disa grupe të interesit.
Kjo qasje sipas tyre ka shkaktuar kolaps total të shërbimeve për të verbërit, pasi në asnjë qark të vendit nuk ofrohet asnjë shërbim i specializuar për ta, ndonëse ligjet i parashikojnë qartë.
Në këtë situatë Këshilli Kombëtar i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë kërkon të ndërmerren hapa të menjëhershëm për të kthyer shërbimet e posaçme në financim të drejtpërdrejtë nga Buxheti i Shtetit.
Në rast se ministria nuk reflekton dhe nuk rikthen financimin e drejtpërdrejtë të shërbimeve për të verbërit, ata bëjnë me dije se do të ndjekin të gjitha format e rezistencës civile, përfshirë protestat, denoncimet publike dhe paditë ligjore kundër institucioneve përgjegjëse. Këto kërkesa do u dërgohen edhe kryeministrit dhe gjithë ambasadave të rëndësishme në Shqipëri.