'Rri e qetë, do ta rregullojë...'/ Strazimiri: Në Shqipëri arrestohesh dhe lirohesh vetëm nëse do Alexi, SPAK vegël e Sorosit

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, në një intervistë për SYRI TV ka komentuar përgjimet e fundit për Erion Veliajn, duke theksuar se ato konfirmojnë akuzat që opozita ngre që prej vitit 2016.

Sipas tij, nga transkriptet del qartë se Veliaj i kërkon bashkëshortes të takohet me Alex Sorosin, duke nënkuptuar ndikimin e tij në drejtësinë shqiptare. Strazimiri deklaroi se në Shqipëri nuk të fut në burg ligji, por vendimet i merr Alexi.

Ai shtoi se drejtësia në vend është kthyer në një instrument të korruptuar dhe të orientuar politikisht. “Kjo nuk është drejtësi amerikane, por drejtësi e Alex Sorosit”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo situatë duhet të alarmojë të gjitha institucionet kushtetuese dhe politikën shqiptare në tërësi.

Strazimiri:

Unë mendoj që në përgjimet e zbuluara për Veliaj, praktikisht është zbuluar ajo që opozita ka që në vitin 2016 kur SPAK dhe të ashtuquajturat organet e drejtësisë së re filluan punën.
Erion Veliaj i jep porosi të shoqes që të rrijë e qetë dhe të shkojë të takojë Alexin, citoj transkriptin, që do të thotë bëhet fjalë për Alex Sorosin, që do të thotë në këtë vend nuk të fut në burg apo të nxjerr nga burgu ligji, ‘të nxjerr Alexi, ai i rregullon gjërat’.

Njeriu që ecën siç duhet në zbatim të ligjit nuk është e thënë mos përfundojë në burg nëse do Alexi, ashtu siç mund të bëjë të 99, ashtu si Veliaj, nëqoftëse Alexi nuk do, ai i rregullon gjërat dhe Erion Veliaj nuk bie në burg, ose arrestohet për diçka tjetër krejtësisht të parëndësishme sesa gjëmat dhe bemat që ka bërë deri tani.

Ashtu siç kemi thënë vazhdimisht, kjo nuk është një drejtësi e pavarur, kjo është një drejtësi në nivelin e saj më të lartë të korrupsionit, një drejtësi e orientuar politikisht, një drejtësi që deri dje kanë dashur të na e shesin si drejtësi amerikane, e Amerikës, në fakt nuk është as e Amerikës, është e Alex Sorosit.

E një individi të pazgjedhur dhe në Amerikë, të një supermiljarderi spekulant i cili ndërhyn aty ku e sheh të mundur dhe bën të tilla gjëma si kjo me drejtësinë në Shqipëri.

Ajo që duhet të alarmojë jo vetëm organet e drejtësisë në Shqipëri, por të gjitha institucionet kushtetuese, dhe sigurisht politikën shqiptare, të gjithën, jo më opozitën deri më sot, është fakti që ne dikur kishim një drejtësi që quhej e pavarur, sigurisht me ato problemet e veta, sot kemi një drejtësi që nuk është e pavarur, është një drejtësi ku gjërat i rregullon Alexi, nëse do Alexi, arrestohesh pavarësisht se nuk ke bërë gjë, nëse nuk do Alexi dhe të rregullon gjërat, ti nuk do të arrestohesh kurrë, pavarësisht se ke bërë gjithçka dhe të gjithë e dinë.