Dojna Mema: Rama të nxjerr jashtë Shqipërisë! S’na integroi dot, ndaj na eksporton
Editorial/ Nga Dojna Mema
Në 2013-n premtoi ujë 24 orë... nuk e solli. Në 2017-n premtoi prapë ujë... në 2021-shin gjejeni çfarë premtoi... Tani në 2025-n, premton pasaportë Europiane. Dmth, premton prapë ujë... por në Stokholm. Ai të jep pasaportën, ik lahu atje!
Puna është se Kryeministri ynë po premton një gjë që nuk e ka. Ai s’mund të japë pasaporta BE-je, sepse asnjë lider në Ballkan nuk ka atë superfuqi. Vetë europianët e kanë thënë qartë: ky objektiv s’arrihet brenda një mandati, dhe s’është i lidhur me një parti. Atëherë, pse po na shet përsëri ëndrra me çmim fushate?
Le të themi për një sekondë që mrekullia ndodh. Shqipëria merr pasaportën BE. E dini çfarë ndodh më pas? Ne prapë do jemi duke pastruar aeroportet e Europës. Vetëm se këtë herë, me pasaportë europiane në xhep. Sepse europian nuk të bën pasaporta.
700 mijë shqiptarë kanë ikur për ta marrë atë pasaportë vetë, me djersë dhe shpesh me lot. Janë larguar sepse këtu s’panë as shpresë, as normalitet, as dinjitet. Dhe tani, njeriu që nuk mundi t’i ndalonte, pretendon se mund t’ua japë me ofertë, për fushatë.
Dhe kjo s’është më politikë. Është marketing. Premton si ata influencer-at që të shesin “jeta e bukur në Dubai” ndërkohë që s’kanë para për biletën.
Pasaporta Europiane është cinizmi më i madh që është dëgjuar në fushatë që prej 90-s: në vend që të na sjellë Europën këtu, ai po na premton biletën për të ikur.
Premtimi nuk është më: "Rama të fut në BE", është: "Rama të nxjerr jashtë Shqipërisë…". S’na integroi dot, ndaj na eksporton. Llogaria që bën Kryeministri është e thjeshtë: ai beson se shqiptarët s’kanë nevojë për ujë, shëndetësi, siguri jete apo institucione. Ai kujton se e vetmja gjë që ne duam është një pashaportë që të ikim e të harrojmë çfarë kemi lënë pas.
Kështu që, kur ta dëgjoni premtimin e radhës: “Pasaporta europiane për shqiptarët”… kujtoni premtimin e parë: “Ujë 24 orë.”
Tani thjesht e ka zhvendosur rubinetin... në Bruksel.