SYRI TV/ Fiter Bajrami festohet edhe në rrethe, qindra besimtarë myslimanë falën namazin

Fiter Bajrami është festuar edhe në qytete të ndryshme të vendit. Qindra besimtarë myslimanë falën namazin në xhami dhe sheshet kryesore të qyteteve, duke përmbyllur muajin e shenjtë të agjërimit. Pas lutjeve për paqe e dashuri, ata vijuan festimet dhe ritualet fetare me familjet e tyre, përmes vizitave tek të afërmit dhe drekës së Bajramit.

Fiter Bajrami është kremtuar gjithashtu në qytete të tjera të vendit. Kjo festë, që shënon fundin e muajit të shenjtë të agjërimit, për myslimanët ka mbledhur besimtarë në xhamitë kryesore të vendit, ku ata falën namazin. Qindra besimtarë të Shkodrës, që në orët e para të mëngjesit, falën namazin, i cili u drejtua nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, i cili përcolli një mesazh për të rinjtë, duke i ftuar ata të distancohen nga e keqja.

Në Durrës, qindra besimtarë myslimanë falën namazin e Fiter Bajramit në sheshin pranë xhamisë. Pas faljes, besimtarët u kthyen në familjet e tyre për të vijuar me ritualet e festës, që përfshijnë urimet, vizitat tek të afërmit dhe shtrimin e drekës së Bajramit.

Edhe në qytetin e Kavajës, besimtarët myslimanë kanë falur namazin e Fiter Bajramit në sheshin e qytetit pas një muaji agjërimi. Myftiu i Kavajës, Besnik Lecini, përcolli mesazhin për më shumë respekt dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit.

Pas agjërimit, besimtarët myslimanë të Elbasanit falën namazin që në orët e para të mëngjesit në sheshin Gensher të qytetit, i cili u drejtua nga Myftiu Agim Duka.

Qindra besimtarë myslimanë në Korçë falën namazin e tyre para xhamisë Iljaz Bej Mirahori. Riti i faljes u drejtua nga Myftiu Ledian Çikalleshi, i cili tha se Fitër Bajrami është kurorëzimi i sakrificës gjatë Ramazanit, ndërsa apeloi për më shumë solidaritet dhe ndihmë ndaj atyre që kanë nevojë.

Kremtimi i kësaj dite të shenjtë u bë edhe nga besimtarët myslimanë në Berat, të cilët falën namazin në pedonalen kryesore të qytetit. Myftiu i Beratit, Bilbil Talla, uroi të gjithë besimtarët myslimanë.

Sot, edhe pse koha ishte me shi, qindra besimtarët myslimanë në Kukës falën namazin e Fitër Bajramit në xhaminë kryesore të qytetit të Kukësit. Muftiu Emirjon Vathaj tha se kjo ditë shënon një nga ditët më të bukura të kalendarit islam.

Edhe në Vlorë, Bajrami i Madh u kremtua nga besimtarët myslimanë, të cilët falën namazin në Pallatin e Sportit, pasi xhamia e Plumbit është në rikonstruksion. Myfti Adrit Hoxhaj përcolli mesazhin e paqes dhe harmonisë.

Pas faljes, edhe në Fier dhe Lushnjë, besimtarët shkëmbyen urime dhe përqafime të ngrohta dhe vijuan ritualet fetare me familjet e tyre.

Fitër Bajrami, i njohur gjithashtu si Bajrami i Madh, u festua edhe në qytete të tjera të vendit. Kjo festë shënon përfundimin e një muaji agjërimi, përkushtimi dhe reflektimi shpirtëror, duke i dhënë besimtarëve mundësinë për të falënderuar Zotin, për të forcuar lidhjet me familjen dhe komunitetin, si dhe për të ndihmuar ata që kanë më pak mundësi. Një nga traditat kryesore të kësaj feste është dhënia e sadakasë, një akt simbolik që thekson vlerat e solidaritetit dhe bamirësisë.