KAFE SHQETO/ Dhuna ndaj Fabjolit: Nëna e tij zbardh ngjarjen e tmerrshme dhe shpreson për një mrekulli
Fatbardha Hysi, nëna e shurdh-memcit të dhunuar, Fabjol Hysit, në një lidhje ekskluzive për "Kafe Shqeto", tha se ngjarja e dhunës ndaj djalit të saj ka lënë pas një shqetësim të madh.
Ajo tregoi se Fabjoli, pas operacionit të bërë pas dëmtimeve të rënda në kokë, është në gjendje kome dhe nesër do t’i bëhet një skaner për të parë mundësinë e një zgjerimi të shpresës për rikuperim.
Sipas saj, mjekët kanë bërë gjithçka që ishte e mundur për ta shpëtuar, por ajo mbetet e pasigurt në lidhje me rrethanat e ngjarjes, ku djali i saj u sulmua me gurë dhe u shtrir në tokë, pas një incidenti të ndodhur në qytetin e Lushnjes.
Fatbardha Hysi:
"Mjekët thonë se nesër duhet t’i bëjnë një skaner tjetër pasi e operuan të premtën, i kanë lidhur kafkën pasi ata e kanë shtrirë në tokë dhe i kanë gjuajtur me gurë.
Ata kanë bërë gjithçka që është e mundur në mënyrë urgjente për ta shpëtuar dhe nuk kam asnjë ankesë për ta, edhe pse djali im është në gjendje kome.
Nesër do t’i bëjnë djalit një skaner për të parë nëse do të zgjohet gradualisht. Jam shumë keq realisht.
Ai është një besimtar mysliman dhe në atë kohë po zbriste nga xhamia, kur ngjarja ka ndodhur në qytetin e Lushnjes.
Ne nuk e dimë fare se si mund të ndodhë një ngjarje e tillë, por si ka mundësi që ai të ofendojë dikë?
Ne kemi 18 vite që jetojmë në këtë lagje, njërin e njohim vetëm si kalimtar rastësor, pasi tani jemi shpërngulur në një lagje tjetër, ndërsa tjetrin nuk e njohim fare.
Djali im është shumë i zgjuar dhe i qetë, e gjith lagjja e njeh, por vetëm ka pasur këtë problem që ka lindur'.