SYRI TV/ Fshati Gjergjan i Elbasanit i harruar, banorët: Premtime ka pasur, punë jo

SYRI TV

Zonat rurale në Elbasan janë harruar nga institucinet lokale, edhe pse për to janë akorduar fonde për rindërtimin e rrugëve, paratë janë zhdukur menjëherë pas shpalljes së tenderave. Banorët e fshatit Gjergjan akuzojnë Bashkinë e Elbasanit se i kanë lënë në harresë, ndërsa për ta kujtohen vetëm në kohë fushate. Banorë e këtij fshati thonë se për të dalë në qytet duhet të marrin cizme me vete, pasi balta dhe pellgjet e ujit janë të pakalueshme.

Prej vitesh rruga që lidh fshatin Gjergjan me fshatin Gjonme në Bashkinë e Elbasanit është tërësisht e amortizuar dhe pakalueshme në kohë me reshje. Banorët shprehen se në këtë rrugë nuk është vënë dorë që prej hapjes se saj. Çdo ditë gjatë reshjeve ata detyrohen që fëmijet t’i veshin me çizme e t’i mbajnë në krahë për t’i dërguar në shkollë.

Ndonëse paguajnë taksa për mirëmbajtjen e rrugëve, automjetet e tyre amortizohen çdo herë që kalojnë në rrugë si pasojë e gropave të thella. Rruga nuk është shtruar asnjëherë, por gropat mbushen me zhavorr vetëm në kohë fushatash.  

Banorët e Gjergjanit thonë se premtime kanë pasur në çdo prag fushate, por pasi kanë mbaruar zgjedhjet çdo gjë ka mbetur e pandryshuar, ndërsa ata vijojnë të vuajnë mungesën e infrastrukturës e për pasojë edhe braktisjen e fshatit.