Lagja 5 Maji në Elbasan e lënë në harresë/ Banorët: Votojmë të djathtën, prandaj nuk investojnë’
SYRI TV
Lagja 5 Maji në Elbasan mbetet një nga lagjet më problematike sa i përket investimeve në infrastrukturën rrugore dhe ndriçim.
Rruga Selim Zyma, që ndodhet pranë sheshpushimeve të 15 pallateve të kësaj lagjeje, është tërësisht e amortizuar. Banorët e krahasojnë këtë lagje të lënë në harresë me getot e viteve '70 në Amerikë, duke shprehur se askush nuk kujtohet për ta, përveç periudhës elektorale, kur kërkohen votat.
Situata përkeqësohet gjatë periudhës së reshjeve, kur gropat mbushen me ujë dhe rruga bëhet e pakalueshme, duke detyruar banorët të veshin çizme. Një tjetër problematikë që ata ngritin është mungesa e ndriçimit, ku gjatë natës ata detyrohen të lëvizin me drita elektrike.
Banorët thonë se kjo situatë mund të jetë pasojë e qasjes politike të tyre, pasi votojnë të djathtën, ndërsa kërkesat e tyre drejtuar bashkisë kanë qenë të shumta, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.
Në të kaluarën, sipas banorëve, në këtë lagje u ndërtua një markatë e vogël me vlerë rreth 100 milionë lekë, ku tregtarët e frutave dhe perimeve ishin të pranishëm. Sot, ka mbetur vetëm një kabinë, ndërsa pjesa tjetër është hequr.