Raporti i DASH konfirmon narkoshtetin e Edi Ramës: Korrupsioni nxit problemin e trafikimit të drogës
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar “Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve të 2025-ës” që konfirmon edhe njëherë se Shqipëria e Edi Ramës është një narkoshtet.
Ajo që thuhet nga mediat dhe politikanët e huaj tani 'vuloset' edhe nga raporti i DASH.
“Grupet kriminale të udhëhequra nga shqiptarët në veçanti kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe gjithnjë e më të sofistikuar në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me droga të paligjshme, duke zgjeruar rrugët e trafikimit nga Amerika Latine në vendet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, dhe duke shfrytëzuar aspekte të ekonomisë shqiptare për të furnizuar korrupsionin dhe krimin financiar,” thuhet në raport.
“Krimi i organizuar i udhëhequr nga shqiptarët luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë, sipas autoriteteve të ligjzbatimit shqiptar. Këto grupe të krimit të organizuar të udhëhequra nga shqiptarët ekspozojnë krime, teknika komunikimi dhe pastrimi parash gjithnjë e më të sofistikuara. Ata operojnë në të gjithë Ballkanin, si dhe në Bashkimin Evropian (BE), Shtetet e Bashkuara, Kanada, Amerikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Turqi.
Krimi i dhunshëm në Shqipëri, përfshirë vrasjet, shpesh lidhet me krimin e organizuar, dhe gjyqtarë, prokurorë, policë, politikanë, gazetarë dhe aktivistë janë subjekt i frikësimit. Shqipëria merr pjesë në Koalicionin Global për të adresuar Kërcënimet e Drogave Sintetike, por gjatë kësaj periudhe raportimi zyrtarët nuk raportuan sekuestrimin e fentanilit ose drogave të tjera sintetike në sasi të konsiderueshme,” thekson më tej raporti.
DASH bën një tjetër konstatim të fortë, kur nënvizon se: “Korrupsioni, sundimi i dobët i ligjit dhe papunësia nxisin problemin e trafikimit të drogës në Shqipëri”.
Pikërisht ky narkoshtet lejon edhe pastrimin e parave në shkallë të gjerë.